Sipas deputetit socialist nga 30% e ujit të prodhuar që faturohet, vetëm 40 % e tij arrin të arkëtohet

Deputeti socialist Gazmir Bizhga ka akuzuar drejtuesit e ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës për korrupsion dhe paaftësi, gjë që sipas tij po reflektohet me probleme serioze në furnizimin me ujë të pijshëm për qytetin bregdetar. Sipas Bizhgës, qyteti i Durrësit po furnizohet vetëm me një orë ujë të pijshëm në ditë, ndryshe nga sa është deklaruar nga ana e qeverisë shqiptare. Borxhet e papaguara që Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka ndaj ÇEZ, shpenzimet për blerjen e makinave të shtrenjta dhe rikonstruksioni i zyrave po e rëndojnë edhe më shumë bilancin e UKD-së, ndërkohë që nga ana tjetër vetëm një sasi e vogël e ujit të faturuar arrin të arkëtohet duke nxjerrë kështu në pah paaftësinë e drejtuesve të saj për ta menaxhuar mirë ndërmarrjen thotë deputeti socialist.  

Z Bizhga, disa herë keni reaguar në Kuvendin e Shqipërisë në lidhje me situatën e furnizimit me ujë të pijshëm. Sa objektive kanë qenë akuzat tuaja ndaj Ujësjellës-Kanalizimeve dhe qeverisë?

Në pikun e sezonit veror, ajo për të cilën po vuan i gjithë Durrësi është mungesa e ujit. Kuçedra e korrupsionit që ka zënë për fyti ndërmarrjen Ujesjellësit, ka lëne pa ujë në kulmin e vapës të gjithë komunitetin e banorëve të rrethit të Durrësit. Furnizimi me ujë është katastrofik. Vetëm një orë në ditë ka qyteti ujë, ndërkohë që Plazhi vazhdon të ketë ende zona te pafurnizuara si p.sh. në sektorin Iliria etj. Edhe investimi i bërë prej 980 milione lekesh dy muaj më parë në unazën e Plazhit, rezultoi një bllof, që nuk përmirësoi asgjë. Bëhen investime në zonat periferike si në Shkozet e ish Kënetë me projekte të pastudiuara të cilat përfundojnë pa asnjë efekt përmirësues, përkundrazi përkeqësojnë edhe atë pak furnizim që është në qytet. E vetmja gjë që përmirësohet, janë xhepat e drejtuesve militantë të UKD-së, të tejzhytur në llumin e korrupsionit.

Ju keni folur mbi një situatë të mjerueshme financiare të Ndërmarrjes së Ujësjellës-kanalizimeve. Cilat janë faktet që keni?

Gjendja ekonomiko-financiare e këtij enti ështe mjerane dhe po i thellohen borxhet. Para pak ditësh bordi drejtues i kësaj ndërmarrje (i cili e ka përfunduar detyrën që në vitin 2007), miratoi tarifa të pa imagjinueshme për të gjithë abonentët e ujësjellësit. Për të pasur të drejtën të furnizohesh me ujë, që është një e drejtë universale, çdo familjar duhet të paguajë 750 lekë/m2 të sipërfaqes së banesës, 40 mijë lekë hapje kontrate dhe 20 mijë lekë për matësin, ndërsa për biznesin kjo dyfishohet dhe bëhet 1500 lekë për m2, 80 mijë lekë për hapje kontrate dhe 20 mijë lekë për matësin. Kjo është vetëm për të fituar të drejtën për të marrë ujë edhe kur atë nuk e merr dot se nuk ka, pasi para pak kohesh çmimi i ujit u trefishua. Pasi i rropën zonat informale me taksat e legalizimit, tani kanë filluar me taksat e ujit. Çdo qytetari që ka një dyqan të vogël e shtëpine sipër i bie që të paguajë mbi 500 mijë lekë taksa vetëm për të fituar të drejtën e furnizimit me ujë. Pa folur këtu për zonat rurale nga Ishmi deri në Gjepalaj, që nuk kujtohet askush që kanë muaj të tërë pa ujë.

Të gjitha këto tarifa që po rrjepin qytetarët durrsakë nuk shkojnë për të larë borxhet e UKD-së, por për blerje luksi si fuoristrada të shtrenjta me çmime të fryra për drejtorin, ndërtimi i zyrave të reja me vlerë 250 mije euro, kur zyrat aktuale ishin ndërtuar vetëm pesë vjet më parë, shëtitje turistike të drejtorisë etj. Fiktiviteti i punonjësve që paguhen në këtë ndërmarrje është i tmerrshëm. 444 punonjës ishin në vitin 2006, kur BB kërkonte që ky numër të reduktohej në 268 vetë. Sot aktualisht janë 630 punonjes, pa folur në fushatën e shkuar kur numri i punonjësve vajti në 750 vetë. Sot si shkak i korrupsionit dhe paaftësisë së menaxhimit ky ent ka një humbje të 65-70% të ujit të prodhuar. Nga 30% e ujit të prodhuar që faturohet, vetëm 40 % e tij arrin të arkëtohet. Sot borxhi i UK Durrës kundrejt CEZ arrin 5 milionë euro i krijuar vetëm tre vitet e fundit dhe thellohet me 320 mijë euro fatura të papaguara çdo muaj. E gjendur në këtë situatë falimentimi nga korrupsioni, qeveria bën një veprim absurd dhe keqdashës. Në vend që t´i kalojë Ujësjellësin bashkive e komunave ashtu siç thote ligji, ju kalon borxhin që Ujësjellësi i krijon CEZ-it.

A mund të na e sqaroni më mirë këtë çështje?

Më saktë, në një shkresë të datës 21 Qershor 2012, nr.10139 Ministri i Financave urdhëron degët e thesarit që t’i bllokojnë transfertat e pakushtëzuara komunave dhe  bashkive për borxhin e ujësjellësit. Pra Qeveria kërkon që t’i vjedhë dy herë qytetarët njëherë me ujësjellësin dhe herën tjetër duke jua marrë paratë nga bashkitë dhe komunat. Pra nuk u jep ujë, po jua merr paratë dy herë. Kjo praktikë është në kundërshtim me vetë VKM nr.660 të datës 12 shtator 2007, ku thotë tekstualisht : “Detyrimet e prapambetura të shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve, deri në çastin e transferimit, shlyhen nga buxheti i shtetit dhe ato zhvishen nga detyrimet e prapambetura”.