Sipas deputetit socialist ministri i mbrojtjes, Arben Imami, duhet të japë dorëheqjen pas këtij skandali

Akuza të ashpra ndaj Ministrisë së Mbrojtjes ka ngritur deputeti i PS-së Gazmir Bizhga, sipas të cilit ky dikaster nuk po lejon Parlamentin të bëjë detyrën kushtetuese për të zbardhur mënyrën se si po i përdor paratë ky dikaster. “Biznesi i tregtimit të armëve dhe municioneve i zhvilluar kryesisht me Malin e Zi dhe Serbinë fsheh abuzime mjaft të rënda. Këto abuzime nuk janë denoncuar vetëm nga ne, por edhe nga media shumë serioze botërore si Euronews dhe New York Times”,- tha Bizhga. Sipas tij ministri Imami nuk pranon të bëjë transparencën e veprimeve të kryera nga institucioni që ai drejton po duket se po kërkon ta mbyllë këtë çështje vetëm me dorëheqjen  e drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak, ndërkohë që duhet të jetë ai i pari që duhet të japë dorëheqjen.

Z. Bizhga, si e komentoni reagimin e ashpër të opozitës ndaj Ministrisë së Mbrojtjes?

Ka më shumë se gjashtë muaj që deputetët e opozitës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare kanë depozituar konform Kushtetutës, ligjit dhe rregullores së Kuvendit kërkesën për të mbikqyrur zbatimin e ligjit në Ministrinë e Mbrojtjes. Sot pas 6 muajsh ne ende nuk lejohemi që të kryejmë detyrimin tonë kushtetues e ligjor, detyrimin që vota e popullit na ka dhënë si deputetë, detyrimin për t’u zbardhur qytetarëve sesi po përdoren paratë e tyre nga Ministria e Mbrojtjes. Vazhdojmë të pengohemi në mënyrë sa absurde aq edhe antiligjore nga ministri i mbrojtjes, duke u kryer kësisoj prej tij, një puç kundër Kushtetutës, institucionit të Kuvendit dhe parlamentarizmit. Natyrisht që ky qëndrim absurd nga ministri i mbrojtjes e ka shpjegimin e vërtetë. Të pengosh deputetët e opozitës që të kryejnë detyrën e tyre,  duhet që të kesh arsye të fortë që ta bësh, aq më tepër kur një nga 12 rekomandimet e BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë është mbikqyrja e ekzekutivit nga Kuvendi. Natyrisht që arsyeja është shumë e fortë. 

Prej ditësh media ka publikuar dokumente të rëndësishme që e implikojnë Ministrinë e Mbrojtjes dhe dy institucione përbërëse të saj si MEICO dhe SHIU në një veprimtari të errët të tregtimit të armëve dhe municioneve dhe në përgjime të kundraligjshme me prapavijë politike. Në këto veprimtari të dyshuara tanimë seriozisht si të kundraligjshme janë përzier titullarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe familjarë të afërt të tyre. Biznesi i tregtimit të armëve dhe municioneve i zhvilluar kryesisht me Malin e Zi dhe Serbinë fsheh abuzime mjaft të rënda. Këto abuzime nuk janë denoncuar vetëm nga ne, por nga media shumë serioze botërore si Euronews dhe New York Times. Kërkesës tonë të vazhdueshme lidhur me zbardhjen e plotë të tregtimit të armëve nga Shqipëria dhe se cilët janë ndërmjetësit e këtij biznesi, ministri nuk na është përgjigjur. Sot them me bindje se ndërmjetësit që kryejnë këtë biznes sot në Shqipëri janë tregtarë serbë, të cilët kanë një të kaluar aspak korrekte dhe shumë të dyshimtë në veprimtarinë e tyre.

Z Bizhga, pse insistoni në çështjen që ka të bëjë me tregtinë e armëve me Malin e Zi?

Së pari duhet theksuar se ka dy vjet që Shqipëria i tregton Malit të Zi 210 mijë predha të kalibrit të rëndë 80-120 mm, me destinacion përfundimtar përdorimi Malin e Zi,  kur vetë ky vend me 500 mijë banorë nuk ka aq kapacitet për ta depozituar këtë armatim e jo më ta përdorë dhe që kalon disa fish kapacitetin e tij mbrojtës, ministri i përgjigjet se nuk më duhet mua se çfarë bëjnë ata. Ky armatim ka vajtur për regjimin e Gadafit dhe është ai që u kap në portet libiane në mesin e luftës dhe që u denoncua nga Euronews dhe New York Times.
Kërkesës tonë në datën 21 mars të vitit 2011 se përse Ministria e Mbrojtjes tregton me Jemenin armatim të rëndë, kur ky vend është në luftë civile, ministri na u përgjigj se kjo nuk do të ndodhë, pasi ne si rregull nuk tregtojmë me vendet që janë në luftë, ndërkohë që në datën 31 mars 2011 Ministria e Mbrojtjes i shet Jemenit 20 mijë predha 120 mm, në kulmin e luftës civile. Kërkesës tonë se çfarë e lidh Ministrin e Mbrojtjes me tregtarin qeveritar serbo-boshnjakun Damir Fazlliç, ministri i përgjigjet se e ka një mik të hershëm të tijin.

Si e shpjegoni faktin që ju po kërkoni të informoheni edhe mbi përgjimet e SHISH. A nuk është pak e tepruar kjo?

Prej ditësh opozita ka kërkuar një informacion të plotë lidhur me përgjimet që ka kryer SHIU prej dy vitesh. Kush ka autorizuar blerjen e një teknologjie të sofistikuar dhe të kushtueshme për përgjimin e telefonisë celulare dhe si është përdorur ajo deri më sot? A ka dijeni Prokuroria e Përgjithshme mbi mënyrën sesi përdoret ajo dhe për çfarë qëllimesh? Sa të ligjshme janë ato? Këtyre pyetjeve nuk i përgjigjet dot ministri i mbrojtjes. Bile as nuk bëzan fare. Na kundërvë thjesht dorëheqjen e drejtorit të SHIU-t, ndërkohë që nga ky skandal duhet të japë dorëheqjen ministri.