Mos zbardhja e disa prej vrasjeve më të bujshme në qytet dëshmon se rendi publik është shthurur, thuajse nuk ekziston. Sipas deputetit socialist lufta kundër krimit është thjesht iluzive dhe prodhon vetëm efekte statistikore
Deputeti socialist Gazmir Bizhga ka lëshuar akuza të forta ndaj policisë së shtetit në përgjithësi dhe asaj të Durrësit në veçanti në lidhje me situatën e krimit në qytetin bregdetar. Në një prononcim për gazetën “Dyrrah” Bizhga do të komentonte dhe përplasjet e fundit në parlament me ministrin e brendshëm Bujar Nishani …
Z. Bizhga, në reagimet e fundit në parlament keni qene tepër i ashpër përsa i përket prezantimit të situatës së rendit publik në vend. Si e komentoni këtë pozicion kaq ekstrem?
Nuk mendoj se është një pozicion ekstrem, por është një pozicion realist. Ka kohë tashmë që në rrugët, qytetet e fshatrat e Shqipërisë dëgjon për vjedhje, plagosje, vrasje, vetëvrasje, grabitje, dhunë mbi të pambrojturit, shkatërrim me djegie apo me eksploziv të pronës private, hedhje në erë të automjeteve apo djegie, gjobëvënie kriminale mbi biznesin, grabitje bankash apo zyrash të këmbimit monetar e gjithçka tjetër që përkon me mungesën e rendit publik e sigurinë e jetës apo pronës së qytetarëve. Kaq e përditshme dhe kaq e përsëritur është kjo panoramë trishtuese sa nuk duhet shumë mend që të kuptosh se tek ne rendi publik është shthurur apo më mirë të thuash se nuk ekziston fare.
Gjithsesi përtej emocioneve partiake duhet të jemi realistë. Statistikat tregojnë se goditja ndaj krimit është forcuar dhe shkalla e zbulueshmërisë është rritur?
Statistikat e prezantuara nga policia e shtetit nuk janë realiste. Për të kuptuar sesa efikase është një polici duhet t’i referohesh ngjarjeve të rënda dhe më rezulton se disa më tipiket janë akoma të pazbardhura. Po e nis me Durrësin, qytetin tim. A është zbardhur djegia në makinën e tij, në rrethana të frikshme e ish-oficerit të SHISH-it Isa Çopa, a u zbardh vrasja e të riut durrsak Juxhin Guza që u vra në derën e shtëpisë së tij, me thikë pas shpine? Ishte vetëm një djalë i mrekullueshëm i qytetit të Durrësit. Një volejbollist i talentuar i ekipit tonë kombëtar, që e donte aq shumë jetën, sportin, të ardhmen dhe atdheun e tij. Vetëm për ta grabitur, për asgjë më shumë u vra dhe akoma nuk po bëhet gjë për gjetjen e autorëve. Mund të vazhdoj me shembujt e tjerë jashtë Durrësit si ai i vrasjes me lëndë eksplozive të gjyqtarit në Vlorë, vrasjes në bulevard të katër qytetarëve të pafajshëm në 21 janar të këtij viti, vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindi, vrasja e kryetarit të komunës Tërthorë, Remzi Veseli apo dhe shembuj të tjerë. Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, vetëm sa mbledhin pasojat si fakte e shkruajnë ngjarje, hartojnë raporte stinore me grafikë e me ngjyra. Vetëm kaq. Mungon një strategji e vërtetë për të parandaluar krimin.
A mendoni se ndërhyrjet e politikës dëmtojnë policinë e shtetit?
Sigurisht që emërimet politike ulin profesionalizmin dhe shkallën e luftës kundër krimit. Ky mendoj se është një problem shqetësues për policinë e shtetit.
Edhe kur ishit ju në qeveri, a nuk emëronit njerëzit tuaj politikë?
Nuk më rezulton kështu. Për ne socialistët shteti i fortë ndërtohet me profesionistë dhe njerëz të ndershëm. Policia e shtetit duhet të jetë e pa politizuar dhe profesionale.
Sipas jush cila ishte domethënia e reagimit tuaj të fortë në parlament me Ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani. Pse pas dy vjetësh akuzuat për një tender të dy viteve më parë ?
Unë mendoj se zbardhja e çdo shkelje ligjore kërkon kohën e vet. Veç problemit të tenderit i kam kërkuar ministrit Nishani të japë llogari dhe për gjendjen në të cilën ndodhet policia shqiptare. Nishani duhet të japë llogari për tenderin që la pa uniforma, policinë e shtetit. I kam bërë ministrit Nishani disa pyetje, të cilat në fakt janë dhe akuza të drejtpërdrejta:
– Pse nuk u hapën procedurat e tenderimit në vitin 2010 për blerje këpucësh për policinë?
-Po tenderi i majit 2011 për blerje uniformash?
– Cila është kompania që ka fituar tenderin për uniformat e policisë?
– A ka patur ajo probleme me drejtësinë?
– A ishte ende në proces gjyqësor ajo kompani në një kohë kur fitoi tenderin?
– Duhet shpjeguar mirë skema ligjore e procedurës së blerjes së uniformave të policisë.
Në fakt ministri Nishani jua dha përgjigjen se uniforma është prodhuar në vitin 2007 dhe se nuk ka elementë të uniformës italiane. A nuk ju mjaftoi ajo?
Kjo është thjesht një përgjigje politike dhe jo juridike. Kjo çështje ka nevojë për një hetim të thellë për të nxjerrë të vërtetën mbi këtë cështje.
Le të shkëputemi pak nga problemet e rendit dhe të kalojmë te kongresi i PS-së për të cilin ka pasur komente se në thelb nuk i bashkoi socialistët?
Kongresi ishte i suksesshëm pavarësisht manipulimit nga mediat besnike të qeverisë. Detyrat e kongresit u finalizuan me sukses. Kongresi riktheu disa emra të larguar më parë, megjithatë PS nuk e ka pasur derën të mbyllur. Votimi i listës së fundit në Asamble dhe rezultati përfshijnë kategori dhe persona që kanë kontribuar për një kohë të gjatë për PS-në. Procesi i votimit ishte tërësisht demokratik, numërimi i votave transparent, ishte një kongres i mirëfilltë pune. Programi i PS-së është shumë i rëndësishëm, pasi prek panele kryesore që kanë të bëjnë me jetën sociale të çdo shqiptari, duke filluar nga ekonomia, demokracia në vend, dhe funksionimi i ligjit. Është program brenda shtratit të së majtës, program social-ekonomik, është program bazë por jo përfundimtar që do të vazhdojë të pasurohet.
A e konsideroni të mbyllur krizën politike tashmë që Rama deklaroi se do të kontribojë për gjithshka që i shërben integrimit të vendit?
Pavarësisht përpjekjes së Partisë Socialiste për të realizuar një bashkëpunim në rrugë institucionale, kriza politike nuk ka kaluar, në plan të parë duket se jemi pranë kompromisit, por dyshoj të ndodhë diçka e tillë. Është përgjegjësi e maxhorancës, si bojkoti ashtu edhe bllokimi i ligjeve me 3/5. Ne po bëjmë pjesën tonë të punës, por pjesa kryesore i takon maxhorancës, kjo kërkon vullnetin e qeverisë.
Nishani i përgjigjet akuzave të Bizhgës
Ministri i brendshëm Bujar Nishani i është përgjigjur akuzave direkte të bëra nga deputeti socialist Gazmir Bizhga në lidhje me proçedurat e tenderimit në vitin 2010 për blerje këpucësh për policinë e shtetit, për tenderin e muajit maj të vitit 2011 për blerje uniformash, për problemet me drejtësinë shqiptare në lidhje me këto çështje dhe të gjithë skemën ligjore të procedurës së blerjes së uniformave të policisë së shtetit.
Duke ju përgjigjur këtyre akuzave të bëra nga deputeti Bizhga, ministri i brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi se të gjitha hapat e ndërmarra nga Policia e Shtetit dhe drejtori i përgjithshëm janë bërë mbi bazën e kompetencave që i jep ligji kësaj drejtorie. Sipas Nishanit, që nga viti 2007 maxhoranca parlamentare dhe qeveria kanë bërë një zgjedhje mjaft të mirë; kanë ndarë kompetencat e ministrit nga ato të drejtorisë së policisë së shtetit. Përsa i përket uniformave të policisë së shtetit, Nishani u shpreh se uniforma aktuale është prodhuar në vitin 2007 dhe më pas kanë dështuar proçedurat e prokurimit për shkak të parregullsive të ofertuesve në procesin e tenderimit. Kjo situatë sipas tij ka sjellë vështirësi qoftë për imazhin apo përmbushjen e detyrave nga ana e policisë. “Në vitin 2008,- është shprehur Nishani,- policia me propozim të saj dhe miratim nga ministri dhe qeveria sollën draftin për stilimin e uniformave”. “Përmes procedurave të hapura,- ka konfirmuar ai,- është përzgjedhur një kompani italiane”. “Nuk ka të bëjë uniforma me ngjashmërinë me policinë italiane pavarësisht se kompania ishte italiane”,- sqaroi Nishani. Ministri ka vlerësuar gjithashtu progresin që ka pasur policia e shtetit në luftën kundër krimit dhe rezultatet konkrete që evidentojnë performancën dhe profesionalizmin e kësaj policie në luftën kundër krimit dhe trafiqeve. Në Shqipëri aktualisht trafiku i drogës ka shkuar në shifrën zero dhe grupet kriminale janë shkatërruar nga policia e shtetit. Situata e rendit në Shqipëri ka arritur tregues shumë pozitivë jo vetëm krahasuar me dekadën e fundit, por dhe me vendet e rajonit, – ka deklaruar ministri i brendshëm.