Bumi i blerjeve të apartamenteve nga shtetasit e huaj si çekë, polakë, rusë apo ukrainas nuk është më trend në tregun imobiliar të Durrësit.
Blerësit më të rëndësishëm tashmë për agjencitë imobiliare janë emigrantët nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia e Veriut. Por ndryshe nga vite më parë, kur shtetasit shqiptarë që jetojnë në perëndim blinin apartamente për të pushuar gjatë stinës së verës në Durrës, tani ata investojnë në pasuri të paluajtshme për t’i lëshuar me qira afatshkurtra.
“Ai vrulli i madh nuk është më. Këto fenomene i kemi shumë herë më të rralla në përgjithësi, por ajo që shihet është që emigrantët shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, por edhe Shqipërisë kanë vendosur që të blejnë diçka në qytetin tonë, por jo më ajo tradicionalja që e blejnë për vete dhe e mbajnë për pushimet verore, por e blejnë dhe e japin me qira ditore”,- bën të ditur administratori i agjencisë imobiliare “Mei Smart”, Florian Tahiri .
Kthimi i Durrësit në një destinacion të vizitueshëm në çdo stinë të vitit dhe rritja e ndjeshme e numrit të të huajve që vizitojnë qytetin bregdetar, i ka shtyrë shumë nga qytetarët që disponojnë apartamente të dyta apo të treta t’i listojnë ato në AirBnB.
Aktualisht shumica e vizitorëve të huaj në Shqipëri preferojnë qiratë afatshkurtra në vend të hoteleve gjë që ka bërë që numri i apartamenteve AirBnB në Durrës të rritet në mënyrë të “frikshme”.
“Është rritur jashtëzakonisht shumë. Për 3-4 vitet e fundit ka pasur një shifër jashtëzakonisht shumë të madhe dhe tashmë shohim në treg agjenci të ndryshme që merren me menaxhimin e pronave. Zona me kërkesë më të lartë vazhdon të jetë Vollga dhe qendra e Durrësit dhe pa diskutim zona e Plazhit nga Ura e Dajlanit deri në Qerret të Kavajës. Sa më afër plazhit aq më e lartë është kërkesa dhe mundësia për ta dhënë apartamentin me qira ditore gjatë sezonit turistik. Ndërkohë që Vollga dhe qendra e Durrësit punojnë 365 ditë të vitit. Numri i apartamenteve AirBnb është rritur 300% në Durrës”, – thotë Tahiri.
Parashikimet e operatorëve turistikë flasin për një tjetër sezon veror të suksesshëm, dëshmi kjo e faktit se biznesi i apartamenteve me qira afatshkurtra do të vijojë të jetë fitimprurës.
M.B.