Shirat e parë të kësaj vjeshte që sapo ka trokitur dhe ulja e ndjeshme e temperaturave dhanë sinjalin se sezoni turistik edhe për këtë vit u mbyll. E si gjithmonë, bizneset që operojnë në fushën e hoteleri-turizmit nxitojnë të bëjnë bilancin e fitimeve dhe humbjeve për të nxjerrë një konkluzion të përgjithshëm mbi mbarëvajtjen e aktivitetit të tyre privat.
Ajo çfarë konstaton në bisedat me pronarë dhe menaxherë të këtyre bizneseve konstaton se këtë vit se pritshmëritë e tyre nuk janë përmbushur ose janë realizuar në një masë shumë të vogël. Shkak për këtë mesa duket është bërë përkimi i muajit të ramazanit me periudhën korrik-gusht, kohë kur pritet edhe fluksi më i madh i pushuesve kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia.
Siç konfirmojnë bizneset në ndryshim nga vitet e tjera, fluks ka pasur vetëm në dhjetëditëshin e fundit të muajit gusht, por dhe ky i pamjaftueshëm për të rikuperuar mungesën e të ardhurave gjatë pjesës tjetër të kohëzgjatjes së sezonit. Por përveç muajit të agjërimit, që pengoi shumë shqiptarë të përtej kufirit t’i drejtohen bregdetit durrsak, problemet e njohura e të konstatuara prej vitesh kanë qenë një tjetër pengesë për bizneset për të realizuar xhiron e pritshme të të ardhurave.
Bizneset
“Gjatë korrikut e deri në festimin e ditës së Bajramit dhomat e hoteleve kanë qënë bosh, as 30% e tyre nuk janë zënë ndërsa edhe restoranti, edhe plazhi përpara, ka qenë pothuajse bosh fare. Mungesa e pushuesve ka qenë mjaft e ndjeshme këtë vit. Po nga ana tjetër pse duhet të vinin pushuesit? Është papastërti e madhe.
Asnjë kusht për mikpritjen e tyre nuk u plotësua dhe ne flasim prej vitesh për të njëjtat gjëra! Tani turizmi në plazhin e madh të Durrësit, mori fund! Kam patur klientë nga të katër anët e Botës, që vinin në hotel, por këtë vit nuk erdhën fare në Durrës, zgjodhën Kroacinë dhe Greqinë. 15 dhomat e hotelit garantojnë kushtet shumë të mira, pasi janë investuar mijëra euro çdo vit. Shezllonët i bleva të rinj. 5 mijë euro kushtuan dhe nuk arrita të nxjerr as një pjesë të parave të shpenzuara”,- tha Flora Vrioni, për “Dyrrah”.
Flora ashtu si dhe shumë sipërmarrës të tjerë ka ngritur biznesin e saj privat në plazhin e Durrësit, biznes që kryesisht e ushtron aktivitetin nga 1 qershori deri në 1 shtator. Ndërkohë të njëjtin shqetësim me Florën e ngre edhe një tjetër pronar. Sabri Nuhu, që administron restorant “Gostivari” thotë se bilancet e të ardhurave nuk janë ato që priste.
“Kemi investuar mjaftueshëm, madje edhe mbi kapacitetet tona, por ky ishte një nga sezonet më të vështirë përsa i përket të ardhurave. U përballëm me mjaft vështirësi dhe një sërë problematikash të vërejtura çdo vit e të stërthëna nëpër media, probleme këto që ndikuan tek numri i pakët i pushuesve. Ajo që u vu re këtë vit ishte se pushuesit ishin më të varfër, ndërsa klientela e vjetër, ka qëndruar fare pak ditë dhe më pas është larguar”,- thotë Nuhu.
Duket se kriza ekonomike ka ndikuar jo pak në xhepin e qytetarëve dhe për pasojë ka reduktuar shumën e programuar prej tyre gjatë ditëve të pushimeve. Por ndërsa shprehen të pakënaqur me xhiron e të ardhurave të këtij viti të gjithë administratorët e bizneseve turistike ndajnë të njëjtin mendim. Pavarësisht krizës ekonomike apo muajit të Ramazanit përsëritja e të njëjtave problematika për vite e vite me rradhë duket se i ka mërzitur pushuesit, duke sjellë për pasojë mos frekuentimin e tyre në masë të plazhit të madh.
Të njëjtin mendim me kolegët e tij Vrioni dhe Nuhu ndan edhe menaxheri i një hoteli luksoz në sektorin Iliria. “Nëse çdo investim do të ishte bërë në kohë edhe të ardhurat do të ishin më të mira. Para hotelit tonë është lënë prej muajsh rruga për faqe të zezë. Kanalet janë të hapur dhe kolektori i ujërave të zeza nuk funksionon. Që këtu nis të krijohet imazhi i parë për pushuesit. Sapo zbrisnin nga autobuzat ata kishin frikë se mos binin në gropat e hapura që lanë firmat zbatuese para nisjes së sezonit veror. Mendoj që është e qëllimshme nga ana e pushtetarëve të cilët nuk bëjnë asgjë për turizmin në Durrës! Ndoshta kanë investuar në plazhe të tjerë dhe kërkojnë që pushuesit ta braktisin plazhin e Durrësit për pikat e reja turistike! Ky është qëllimi i tyre!”,- thotë Diamant Zhara i indinjuar.
Agjensitë
Pjesa më e madhe e bizneseve që operojnë në fushën e hoteleri-turizmit merren me qira nga shtetas shqiptarë të trevave jashtë kufijve të vendit tonë. Kjo gjë duket mjaft qartë edhe në emrat që mbajnë shumica e tyre e që janë dëshmi konkrete e trevës nga vijnë administratorët e tyre. Ata i marrin me qira lokalet apo restorantet dhe i administrojnë kryesisht nga qershori deri në fund të muajit gusht. Qiratë për tre muajt e verës variojnë nga 10 mijë deri në 50 mijë euro për hotelet me restorante në varësi kjo të kapaciteteve dhe sipërfaqes së secilit biznes.
Jo pak prej këtyre sipërmarrësve këtë vit, nuk kanë mundur dot të lajnë as qeratë e objekteve duke mos bërë më llogari për fitime të kënaqshme. Ulja e ndjeshme e numrit të pushuesve nga Kosova dhe Maqedonia konfirmohet edhe nga agjensitë e autobuzëve, që sillnin çdo ditë pushues të shumtë në plazhin e madh. Nexhmi Mehmeti është një prej shoferëve të autobuzave të linjës Durrës Prishtinë.
Ai thotë se “edhe një vit më parë kriza ndihej, po këtë vit prenotimet kanë qenë shumë të ulëta. Autobuzat nuk mbusheshin. Ne e kemi linjë të përditshme, që funksionon edhe në dimër dhe konstatojmë se ka rënie të theksuar. Nuk vijnë më njerëz se edhe kosovarët janë në krizë. Agjensia jonë ka shumë autobuzë, por këtë vit kriza është ndjerë vërtet shumë”.