“Plasin” vjedhjet në qendër të Durrësit. Qytetarët dhe bizneset ndihen përherë e më të kërcënuar nga hajdutët. Mëngjesin e sotëm, pronari i një marketi në lagjen nr.3 të Durrësit, konstatoi vjedhjen e njësisë së tij tregtare gjatë natës.
Pronari i biznesit privat në rrugën “Ramazan Jella” shkoi si çdo ditë të hapte njësinë e tij tregtare, kur vuri re se marketi ishte “vizituar” gjatë natës nga hajdutët, që kishin marrë steka cigaresh, paratë që kishin gjetur në kasë dhe portofolin që ai e kishte harruar në market.
Grupi hetimor, që u mor me administrimin e provave të gjetura në vendngjarje, konstatoi se hajduti kishte hyrë në market përmes një dritareje të vogël në pjesën e prapme të marketit.
Në po të njëjtën rrugë, vetëm pak ditë më parë, pre e hajdutëve ra biznesi i një estetisteje, të cilës i vodhën paratë që gjetën në dyqanin e saj.
Ndërkohë policia njofton se një natë më parë i është vjedhur mjeti tip BMW shtetasit E.B., 33 vjeç, banor i lagjes nr.4 të qytetit.
Bizneset dhe qytetarët shprehen të trembur nga shtimi i numrit të vjedhjeve në këtë zonë që relativisht konsiderohet e qetë, pasi janë lagje që ndodhen në qendër të qytetit bregdetar.
Ata tremben se mund të jenë "viktimat" e rradhës së hajdutëve prandaj edhe kërkojnë një prani më të shtuar të policisë gjatë orëve të natës, orë këto kur hajdutët hidhen në veprim.
Banorët e lagjes dyshojnë se këto vjedhje mund të jenë kryer nga djem të rinj, madje nuk përjashtohet mundësia që ata të jenë rezidentë në këtë zonë. Kjo pasi kryesisht hajdutët synojnë të vjedhin paratë që gjejnë në njësitë tregtare si dhe produkte që arrijnë t'i shesin me lehtësi dhe pa rënë shumë në sy.
Madje ata arrijnë të depërtojnë në këto biznese me lehtësi, duke shfrytëzuar zakonisht dritare të vogla që ndodhen në pjesën e pasme të tyre duke vepruar kështu në fshehtësi të plotë dhe pa shkaktuar zhurma që mund të tërheqin vëmendjen.
Policia është duke hetuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Një ditë më parë, efektivët e policisë vunë në pranga 17-vjeçarin R.Rr., i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, e ka dënuar me 8 muaj burg për veprën penale “Vjedhja”.
M.B.





