TIRANË, 15 korrik 2013 – “Konfindustria”, një organizatë e biznesit shqiptar, e afërt mazhorancën në largim, sulmoi më 14 korrik 2013 Bankën Botërore që ka këshilluar fituesen e zgjedhjeve të 23 qershorit të rikthejë FMN-në (Fondi Monetar Ndërkombëtar).

Fill pas kundërshtimit të kryeministrit në detyrë Sali Berisha për auditin ndërkombëtar, Konfindustria u kërkon “forcave fituese të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, që të mos ketë asnjë ndryshim të statusit të tashëm këshillimor të pranisë së Fondit Monetar Ndërkombëtar, pavarësisht këshillës së fundit nga ana e drejtueses në largim të Bankës Botërore në Shqipëri”.

Organizata “blu” e biznesit shqiptar synon të krijojë përshtypjen se drejtuesja “në largim e Bankës Botërore në Shqipëri”, ka bërë politikë personale dhe jo politikën e selisë në Uashington, që komandohet nga SHBA-ja.

I njëjti stil si ai i PD-së për ambasadorët amerikanë Uidhërz dhe Arvizu.

Vetëm se deklaratën nuk e lexon zonjusha Laura Vorpsi, por drejtori ekzekutiv i “rripit të transmisionit”, zotëria Gjergj Buxhuku.

Në një deklaratë për shtyp “Konfindustria” gjen rastin t’i bëjë apologji kursit ekonomik të qeverisë në largim (ndonëse për të nuk përdor togfjalëshin “në largim” sikurse e bën me drejtuesen e Bankës Botërore).

Buxhuku zbulon se “në kushtet kur vendi në gjithë periudhën e deritashme të zhvillimit të krizës globale financiare pavarësisht goditjeve të ndjeshme, nuk kaloi në asnjë vit në recesion teorik të ekonomisë, sikurse ndodhi me mjaft vende të tjera një pjesë e të cilave ishin edhe anëtare të BE, do të ishte krejtësisht e paarsyeshme ndryshimi i statusit të tashëm këshillimor i rolit të pranisë së FMN në vendimmarrjen e politikave fiskale dhe ekonomike të Shqipërisë”.

Sërish parulla se ia kemi kaluar Gjermanisë, Francës, Britanisë, Italisë!

Buxhuku thotë se “në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë vitit të fundit besimi i investitorëve financiarë ndërkombëtare në letrat me vlerë të Qeverisë së Shqipërisë është në kah të fortë rritës, në ndryshim të qarte nga vendet e tjera ku pikërisht rënia e besimit përbënte arsyen thelbësore të rikthimit dhe forcimit të rolit të FMN në politikë-bërje. Shënojmë, se në ankandin e fundit të muajit korrik 2013 interesi bonove njëvjeçare të thesarit arriti pikën më të ulët historike prej 5, 35%, duke dëshmuar edhe njëherë për besimin e investitorëve të huaj dhe vendore në aftësinë paguese të shtetit dhe ekonomisë shqiptare”, duke harruar pikërisht katastrofën financiare dhe “gropat” në buxhet.

Madje, me një megalomani të jashtëzakonshme, Buxhuku merr guximin të kërcënojë “se ndryshimi drejt forcimit të rolit të tashëm këshillimor të FMN-së në raport me Qeverinë Shqiptare, do të ishte jo vetëm pa asnjë përfitim të prekshëm, por mbi të gjitha do të prodhonte pasoja tepër të dëmshme në afatgjatë, duke goditur drejtpërdrejt dhe pa asnjë arsye politikën e tërheqjes së investimeve të huaja. Sa më sipër, sepse natyrshëm investitorët e huaj do të krijonin dyshime për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare”.

Firmat e lidhura me qeverinë në largim, pas goditjes që morën më 23 qershor, është e natyrshme që janë të dëshpëruara dhe presin “kataklizmin” financiar të tyre, që nuk do të thotë “kiamet” për popullsinë shqiptare.

/Thanas Mustaqi, Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/