Me propozim të kryetarit të Bashkisë Ilir Xhakolli, Këshilli Bashkiak i Pogradecit ka miratuar tashmë edhe projektvendimin për zerimin e taksave vendore për muajin prill për të gjitha bizneset e mbyllura për shkak të situatës së Covid19. Këtu përfitojnë të gjitha bizneset, të cilat janë urdhëruar të mbyllen nga udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë në qytet dhe njësitë administrative.
Ndërkohë jo vetëm kaq, por sipas Kryetarit të Këshillit, Sotiraq Mangëri janë duke u zhvilluar diskutime me kryebashkiakun Ilir Xhakolli se në varësi të situatës dhe kohëzgjatjes së saj do të bëhen edhe ulje të nivelit të tarifave vendore për muajt e ardhshëm. Biznesi i mbyllur nuk do të paguajë asnjë tarifë vendore për muajin prill, ndërkohë që është përjashtuar edhe nga taksa e hapësirës publike për muajin mars dhe prill. Gjithashtu është vendosur që pagesa e tarifave të rinisë pas muajit qershor për këto biznese.
Për periudhën e sezonit veror ky Këshill do të bëjë të mundur edhe uljen e tarifave vendore për bizneset në mënyrë që ato të kenë mundësi të rimarrin veten pas pasojave që është duke lënë situata e virusit.
Nga ana e këtij këshilli është kërkuar që dezinfektimi i qytetit të vijojë të bëhet 1 herë në 2 ditë gjatë periudhës së karantimit. Ndërsa vetë këshilltarët do të jenë në kontakt me zonat e tyre për problematikat që ka komuniteti.





