Flet Genta Qosja Prodani, drejtore e Politikave të Punësimit dhe Emigracionit në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë….
Në fund të muajit maj pritet të shpallen emrat e bizneseve që do të përfitojnë nga fondi që qeveria ka krijuar për nxitjen e punësimit. Janë 2.7 milionë dollarë që do të mbulojnë hapjen e rreth 3,500 vendeve të punës. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, miratimi i projekteve do të bëhet në zyrat e punësimit, ndërsa për ndërmarrjet e mëdha nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Në një intervistë për “Monitor”, drejtore e Politikave të Punësimit dhe Emigracionit në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë thotë se sistemi i ngritur përdor vlerësimin për disa kritere të vendosura me kujdes dhe nuk lë vend për abuzime. Programet vlerësohen me bazë pikësimi sipas disa kritereve të mirëpërcaktuara. Synimi është transparenca në vlerësim, përfitimi nga subjekte serioze dhe rritja e numrit të të punësuarve.
Flet Genta Qosja Prodani, drejtore e Politikave të Punësimit dhe Emigracionit në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Nga vlerësimet e ministrisë, cila është panorama e tregut të punës në Shqipëri? Cilët janë sektorët që mund të nxiten më shumë për krijimin vendeve të reja të punës?
Tregu i punës në Shqipëri karakterizohet nga një papunësi e lartë në masën 21.8%. Papunësia është më shumë e lartë te të rinjtë dhe te grupet e veçanta, të cilat kanë vështirësi të përfshihen në tregun e punës. Papunësia është problemi më i madh me të cilin jemi përballur ne shqiptarët gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Duke qenë se shifrat e larta të papunësisë janë burim i problemeve të shumta ekonomike e sociale, qoftë për sa i përket individit e qoftë për sa i përket shoqërisë në tërësi, nevoja për të ndërhyrë është urgjente. Prandaj programi i qeverisë e ka vënë fokusin te punësimi dhe zhvillimi cilësor i forcës së punës, në përputhje me vizionin dhe direktivat e Bashkimit Europian, Strategjisë Europiane të Punësimit 2020, si dhe kërkesave për integrimin europian të Shqipërisë.
Strategjia e Punësimit dhe Aftësive 2014-2020, e cila u lançua nga qeveria shqiptare në shkurt, synon t’iu përgjigjet më së miri këtyre prioriteteve të qeverisë dhe të vendosë zhvillimin e përshpejtuar ekonomik në funksion të punësimit, duke e konsideruar punësimin si kolonën kryesore të sistemit të mirëqenies sociale. Vizioni i kësaj strategjie është i mbështetur në qëllimin gjithëpërfshirës të Strategjisë Europiane 2020, për një punësim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës bazuar në: “Mundësi më të mëdha dhe punë më të mirë për të gjithë”. Qëllimi i përgjithshëm i Strategjisë është nxitja e punësimit cilësor dhe mundësi për arsim dhe formim profesional për gratë dhe burrat shqiptarë. Kjo do të arrihet nëpërmjet politikave aktive koherente dhe të bashkërenduara që në të njëjtën kohë adresohen ndaj kërkesës dhe ofertës për punësim dhe boshllëkut të përfshirjes sociale.
Ndërkohë vihet re një lëvizje në nivelin e punësimit të denjë. Vetëm për muajt e parë të këtij viti vërejmë një rritje të numrit të të punësuarve të regjistruar në sigurimet shoqërore prej 25,000 personash.
Edhe në “Panairin e Punësimit 2014” që u organizua në Pallatin e Kongreseve, u ofruan 6,200 vende të lira pune nga mbi 80 kompani. Gjatë pesë ditëve, panairi u vizitua nga rreth 34.000 persona dhe u dorëzuan 13,840 CV dhe u punësuan 800 persona të profileve të ndryshme si inxhinierë, arkitektë, punëtorë ndërtimi, ekonomistë, menaxherë, punonjës në biznes fason ose telekomunikacion etj.
Fondi i nxitjes së punësimit shihet nga qeveria si një strategji për të rritur bashkëpunimin me sektorin privat për hapjen e vendeve të reja, kush mund të përfitojë? Cilët janë gjashtë programet që e përbëjnë? A ka një afat për zbatimin e tij?
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në zbatim të orientimeve të programit të qeverisë, ka përmirësuar paketën e nxitjes së punësimit. Përmirësimet synojnë të rrisin eficiencën e tyre në grupet e synuara, të lehtësohen procedurat dhe të rritet transparenca në përdorimin e fondeve të nxitjes së punësimit. Gjithashtu, sapo është miratuar dhe një program i ri “Për nxitjen e punësimit të PAK”. Programet që do të zbatohen janë gjashtë dhe konkretisht:
– Nxitje punësimi nëpërmjet formimit në punë
– Nxitje punësimi për femrat
– Nxitje punësimi për të rinjtë
– Nxitje punësimi për punëkërkuesit në vështirësi
– Nxitje punësimi për PAK
– Praktika profesionale për të rinjtë e sapodiplomuar
Programet janë lançuar në datën 1 maj dhe afati i fundit i dorëzimit të projekteve është data 25 maj. Prioritet do t’i jepet punësimit të kategorive specifike nё vёshtirёsi dhe grupeve të veçanta të femrave, punëkërkuesve të papunë, të rinj, pa profesion, si dhe atyre nga skemat pasive të mbështetjes me të ardhura, konkretisht që përfitojnë pagesë papunësie dhe ndihmë ekonomike, të papunët afatgjatë, personat mbi 45 vjeç, që nuk kanë një arsimim më të lartë se arsimi i mesëm ose ekuivalent të tij, personat me aftësi të kufizuar, personat nga komuniteti rom dhe emigrantët e kthyer, me probleme ekonomike.
Për vitin 2014 janë trefishuar fondet, në krahasim më vitin 2012 dhe 2013, dhe konkretisht janë alokuar 270 milionë lekë.
Programet e nxitjes së punësimit janë politika aktive punësimi të cilat synojnë integrimin në tregun e punës të punëkërkuesve të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit me fokus të veçantë grupet në nevojë. Programet do të zbatohen çdo vit nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Fushat prioritare të zbatimit të programeve të nxitjes së punësimit për vitin 2014, do të jenë industria prodhuese, aktivitetet e lidhura me bujqësinë dhe blegtorinë, industria e turizmit, teknologjia e informacionit dhe industritë e lidhura me detin.
Nga pikëpamja burokratike, cilat janë lehtësitë që ofrohen nëpërmjet zbatimit të këtij fondi?
– Mënyra e publikimit të këtij programi duke përdorur të gjitha mjetet elektronike dhe jo elektronike në mënyrë që punëdhënësit të njihen me programin dhe të mund aplikojnë;
– Mënyra e aplikimit, nga ana e subjekteve, duke shtuar mënyrën elektronike të aplikimit përveç aplikimit në zyrat e punësimit nga ana e punëdhënësve;
– Zgjerimi i gamës së subjekteve, konkretisht nga subjekte juridike, shtohen dhe subjektet fizike, për t’iu dhënë shansin edhe subjekteve e vogla të përfshihen në këto programe, si dhe lehtësimin e procedurave të subjekteve private, të cilat do të aplikojnë me projektet e tyre për t’u përfshirë në këto programe;
– Shkurtimi i afatit të miratimit të projekteve në 10 ditë nga 20- 30 ditë.
Sa është numri i vendeve të punës që mund të mbulohen përmes fondit?
Numri i pjesëmarrësve në këto programe synohet të jetë 3,000-3,500 punëkërkues të papunë, megjithëse nga parashikimet tona, ky numër do të jetë edhe më i madh.
Nga aplikimet që kanë mbërritur deri tani, cili sektor (apo formë biznesi) ka shprehur më shumë interes?
Interesimi nga bizneset është shumë i lartë. Ata që kanë filluar të aplikojnë janë kryesisht biznese të lidhura me prodhimin apo dhe fasonët. Gjithsesi është ende herët për të nxjerrë një raport, pasi jemi vetëm në fillimet e procesit të aplikimit.
Mbi ç’kritere do të shpërndahet te biznesi ky fond? Nga se varet shuma e përfitimit? A ka sektorë që trajtohen si më shume prioritarë?
Sektorët prioritarë të përmendur më sipër janë përcaktuar në programin e qeverisë 2013-2017 dhe janë dhe ata që premtojnë më shumë rritje dhe si rrjedhim, shtim të fuqisë punëtore.
Ka një shpërndarje të fondeve sipas zyrave të punësimit nga Këshilli Administrativ Trepalësh i Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe në bazë të këtyre fondeve do të bëhet miratimi i projekteve. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, miratimi i projekteve do të bëhet nga zyrat e punësimit, ndërsa për ndërmarrjet e mëdha do të bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Siç e thashë më lart, bizneset duhet të aplikojnë deri më datë 25 maj dhe më tej brenda 10 ditëve do të marrin përgjigje për shpalljen fitues apo jo të projektit të tyre. Për herë të parë, me mbështetjen e PNUD-it është ngritur një sistem i tërë vlerësimi programesh me bazë pikëzimi, sipas disa kritereve të mirëpërcaktuara. Synimi është transparenca në vlerësim, përfitimi nga subjekte serioze dhe numri i të punësuarve.
Me çfarë mekanizmash, shteti kontrollon shfrytëzimin nga ana e biznesit të këtij fondi? Si shmangen rastet e abuzimit?
Për miratimin e këtyre projekteve janë ngritur komisione të posaçme të cilat do të vlerësojnë me këtë sistem pikëzimi të përmendur më lart. Vetë sistemi i ngritur përdor vlerësimin për disa kritere të vendosura me kujdes dhe nuk lë vend për abuzime.
Për çfarë periudhe mund të përfitojë biznesi nga ky fond?
Përfitimet janë të ndryshme dhe varen nga programi që aplikon. Më konkretisht:
Programet e nxitjes së punësimit në zbatim (6 programe)
· VKM Nr. 47, datë 16.01.2008 “Mbi punësimin e punëkërkuesve të papunë nëpërmjet formimit në punë”, ku subvencionohet punëkërkuesi që merr pjesë në program në masën 50% të pagës minimale, sigurim për aksidentet në punë në masën 0.3% si dhe subjekti pjesëmarrës për një pjesë të kostos së trajnimit (75% të kostos për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe 50% të kostos së trajnimit për ndërmarrjet e mëdha).
· VKM Nr. 48, datë 16.01.2008 “Mbi punësimin e punëkërkuesve të papunë në vështirësi”. Subvencionohen sigurimet shoqërore në masën 16.7% për një periudhë dymbëdhjetë muaj, si dhe katër paga minimale në shkallë vendi për të punësuarit.
· VKM Nr. 873, datë 27.12.2006 “Për kryerjen e praktikave profesionale të studentëve që kanë mbaruar arsimin e lartë, brenda apo jashtë vendit”, ku subvencionohet punëkërkuesi që merr pjesë në program në masën e pagesës së papunësisë, sigurim për aksidentet në punë në masën 0.5% si dhe personi pjesëmarrës përfiton në masën e pagesës së papunësisë
· VKM Nr. 27, datë 11.01.2012 “Për programin e nxitjes së punësimit të femrave nga grupet e veçanta”. Subvencionohet financim për një vit, në masën 100%, të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të pjesës së punëdhënësit, një financim për katër muaj, në masën 100%, të pagës minimale në shkallë vendi, në muajt e pestë e të gjashtë dhe të njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë të kontratës.
· VKM Nr. 199, datë 11.01.2012 “Për masën e financimit, kriteret dhe procedurat e zbatimit të programit të nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë që hyjnë për herë të parë në punë”. Subvencionohet një financim mujor deri për një vit, në masën 100% të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, të pjesës së kontributit të punëdhënësit, si dhe katër paga me kusht që kohëzgjatja e punësimit të mos jetë më e shkurtër se një vit.
· VKM Nr. 248, datë 30.04.2014 “Për programin e nxitjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuar”. Në këtë program janë parashikuar dy lloj mbështetjesh:
Punëdhënësit do të përfitojnë një financim mujor në masën:
– 100% të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, të pjesës së kontributit të punëdhënësit, me kusht që kontrata e punës të jetë më e shkurtër se një vit
– Për 6 muajt e parë të kontratës, pagën në masën 100% të pagës minimale në shkallë vendi dhe për 6-mujorin e dytë, 50% të pagës minimale në shkallë vendi; financim për të pajisur siç duhet vendin e punës deri në masën 100.000 lekë, por jo më shumë se 200.000 lekë, nëse punëson më shumë se dy persona.
Gjithashtu për trajnimin në punë subvencionohet 70% e kostove të trajnimit dhe punëkërkuesi që merr pjesë në program në masën 50% të pagës minimale, sigurim për aksidentet në punë në masën 0.5%.
Përfitimet
Punëdhënësit do të përfitojnë një financim mujor në masën:
– 100% të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, të pjesës së kontributit të punëdhënësit, me kusht që kontrata e punës të jetë më e shkurtër se një vit
– Për 6 muajt e parë të kontratës, pagën në masën 100% të pagës minimale në shkallë vendi dhe për 6-mujorin e dytë, 50% të pagesës minimale në shkallë vendi; financim për të pajisur siç duhet vendin e punës deri në masën 100.000 lekë, por jo më shumë se 200.000 lekë, nëse punëson më shumë se dy persona.
Intervistoi: E.Bedalli /Revista Monitor/





