Bizneset, që e kanë të bazuar aktivitetin e tyre në import-eksport janë të shqetësuar për faturën e lartë që krijon koncesioni i skanimit në dogana.
Arben Shkodra nga Shoqata e Prodhuesve, ka theksuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Investimeve për “Lehtësimin e procedurave doganore” se shumica e prodhuesve nuk e kanë mundësinë për të transportuar të gjithë mallin në një kamion, dhe për të përdorur grupazhin.
Aktualisht, megjithëse skanimi bëhet një herë për kontejner, paguhet tarifa e skanimit për çdo deklaratë doganore.
Për rrjedhojë, në rastin e një ngarkesë mikse, me shumë deklarata doganore gjë që e hasim shumë shpesh, paguajmë tarifën e skanimit edhe për 7, 8, apo 10 deklarata në një kontejner, tha Shkodra.
Aktualisht fatura e skanimit është 23 euro për çdo deklaratë doganore dhe ka raste që për një kamion pagesa e saj arrin deri në 230 euro për kamion.
Po gjatë mbledhjes së Këshillit të Investimeve, drejtoresha e Doganave, Belinda Ekonomi, ka pohuar se në lidhje me skanimin e kontejnerëve, administrata doganore vetëm ekzekuton dispozitat e parashtruara në kontratën koncesionare të skanimit.
Shkodra theksoi edhe rëndësinë e thjeshtimit të mëtejshëm të procedurave doganore me Kosovën. Ndër të tjera parashtroi si të nevojshme që përpara se të kalonte për miratim në Ministrinë e Financave, dispozitat zbatuese të kodit të ri doganor duhet të ishin konsultuar paraprakisht me biznesin.
Në përgjigje të këtij shqetësimi, Drejtoresha Ekonomi ka pohuar se komunikimi me biznesin është i rëndësishëm dhe pikërisht së fundmi janë ngritur 2 sektorë të rinj në DPD, të cilat merren ekskluzivisht me komunikim me biznesin dhe ndërgjegjësimin e tij.
Sipas kontratës së rinegociuar, të koncesionit të skanimit me “Rapiskan” në 2015-n, skema e pagesës së biznesit për skanimin do të kryhet mbi bazën e deklaratës doganore. Pagesën do ta kryejnë të gjitha bizneset. Në vitin bazë (2015) që merret si pikënisje për llogaritjet, numri i deklaratave doganore me vlerë mbi 1 000 (një mijë) euro është afërsisht 400 mijë copë. Numri i deklaratave doganore me vlerën nën 1 000 (një mijë) euro është rreth 35 mijë copë. Është konsideruar një rritje mesatare vjetore e deklaratave doganore prej 6%.
Nga të dhënat historike të 10 viteve të fundit, rritja mesatare vjetore luhatet nga 5 në 13%. Pagesa mesatare për deklaratë me vlerë mbi 1 000 (një mijë) euro, për gjithë periudhën, rezulton 22 euro. Për deklaratën doganore me vlerë të barabartë ose më të vogël se 1 000 euro, pagesa respektive është 5 euro.
/MONITOR/