“Ulni taksën mbi vlerën e shtuar për karburantin, nga 20 % në 6% !”,- ishte ky apeli që japin bizneset në Durrës.
Në një takim me biznesmenët, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka bërë publik propozimin e biznesit durrsak për heqjen e një sërë taksash, që janë futur në çmimin e karburantit, duke nisur prej taksës së qarkullimit, uljen e TVSH-së në 6% etj.
“Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburantit në krahasim me vendet e rajonit, sepse në këtë çmim, qeveria ka futur një sërë taksash dhe kjo është e pandershme. Për këtë arsye banorët e pjesës veriore të vendit po funizohen në Mal të Zi, të juglindjes në Maqedoni, të jugut në Greqi, ndërsa anijet e peshkimit të Durrësit po funizohen me karburant në Brindizi”,- deklaroi kreu i Dhomës së Tregtisë Andrea Xhavara.
Biznesi në Durrës përfaqësohet kryesisht nga transportuesit. Një prej transportuesve thotë se karburanti zë 50% të kostos së shpenzimeve që bën biznesi. Për këtë biznesi vendas i drejtohet Kosovës ku çmimi i karburantit është 98 cent, në Maqedoni 80 Cent, po kaq edhe në Mal të zi, ndërsa në Shqipëri 170 lekë për litër.
Propozimi i bërë nga biznesi është edhe një apel për forcat poltikike për ta mbështetur, në favor të konsumatorit shqiptar.
E përpos kësaj biznesi vendas nuk ka as garancinë e karburantit me cilësi të mirë, pavarësisht çmimit të lartë me të cilin tregtohet.
K.H.