*Biznesi shprehet kundër detyrimit për t’u pajisur me sisteme të sigurisë, pasi e konsideron si rritje të barrës. Ligji i miratuar nga Kuvendi nuk ka hyrë në fuqi, pasi ka mbetur në tavolinën e Presidentit, nga i cili kërkohet firma për dekretim. Ndërsa shoqëritë e sigurimit shprehen se ka rritje të kërkesave.

Për biznesin, telashet duket se nuk kanë të sosur. Pas rritjes së barrës fiskale (kujtojmë taksat e Bashkisë së Tiranës), një tjetër kosto pritet të shtohet për ta e që ka të bëjë me pajisjen e detyrueshme me sistemet e sigurisë.

Ligji për shtimin e sigurisë publike që është miratuar në datë 10 mars nga Kuvendi pret vetëm firmën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, për t’u dekretuar i cili duket se po nguron ta bëjë këtë.

Vetëm pak ditë më parë, ishte ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili i bëri thirrje Presidentit që të mos vonojë dekretimin me arsyetimin se: “Duhet të lëshojmë nga liria apo privatësia jonë, për të qenë më të sigurt”.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, gjithashtu është shprehur kundër këtij ligji.

Shoqëria civile po ashtu i është drejtuar me një letër të hapur kreut të shtetit, duke i kërkuar që të mos ta dekretojë pasi bie ndesh me të drejtat dhe liritë e njeriut.

“Ligji është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, përkatësisht me nenin 35 të saj, i cili përcakton se: ‘Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave personale rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj’. Ligji në fjalë, mbasi detyron të gjitha bizneset dhe administratorët e pallateve të instalojnë kamera dhe të ruajnë përmbajtjen e tyre, nuk jep asnjë garanci se si do të ruhen të dhënat personale të individëve të siguruara nga këto kamera. Po ashtu, ligji autorizon organet e policisë që të përvetësojnë materialet filmike, duke shmangur autorizimet nga ana e gjykatës siç sugjerojnë edhe praktikat ndërkombëtare”, thuhet në letrën e hapur.

Ligji përcakton se janë shtatë kategori subjektesh që i nënshtrohen këtij detyrimi.

Sipas hartuesve të ligjit, ai nuk trajton vetëm kamerat e sigurisë, ato janë vetëm një element, ndërsa parashikon edhe kontraktimin e një policie private apo aplikimin e mjeteve teknologjike.

Nga ana tjetër, ata janë shprehur se zbatimi i këtij ligji nuk shoqërohet me kosto, por në fakt ato janë të larta. Sipas shoqërive të sigurimit nuk ka vetëm kosto blerjeje, por edhe instalimi, si dhe për mirëmbajtjen e vazhdueshme. Ligji parashikon si të drejtë të Këshillit të Ministrave për të përcaktuar se cilët do të jenë parametrat minimalë në lidhje me sistemet e sigurisë, cilësia, ruajtja e imazheve filmike etj., kjo për të shmangur abuzimet dhe përqendrimin në një dorë të këtyre elementëve.

Moszbatimi i ligjit parashikon edhe sanksione që shkojnë nga gjoba (5,000 – 100,000 lekë) e deri në heqje të licencës.

Rritet shitja e kamerave, biznesi i painformuar

Bizneset në rrugët kryesore të Tiranës nuk janë të informuar si duhet në lidhje me këtë ligj, i cili ende nuk dihet se kur do të hyjë në fuqi. Ata kanë paqartësi dhe shpesh ngrenë supet për këtë detyrim, madje kërkojnë që të mos identifikohen.

Sipas tyre, po bëhet gjithnjë e më e vështirë mbijetesa me rritjen e detyrimeve që duhet të japin ndaj shtetit. “Shteti nuk mund të më detyrojë për vendosjen dhe blerjen e sistemeve të sigurisë, pasi ky është një shpenzim i lartë dhe ne rrezikojmë të falimentojmë me gjithë këto detyrime”, thotë drejtuesi i një dyqani që shet aksesorë për veshjet”. Sipas tyre, ky ligj krijon shtesë për abuzime, pasi mund të përdoret kundër biznesit, duke qenë se policia do të ketë të drejtë të sekuestrojë pamjet filmike. Ndërsa drejtuesi i një bari, po në zonën e ish-Bllokut, thotë se e ka pajisur biznesin e tij me kamera sigurie së fundmi, i detyruar për ta mbrojtur në raste vjedhjesh, dëmtimesh etj.

Të instalosh një sistem sigurie me gjashtë kamera, përfshi këtu edhe pajisjen e ruajtjes së imazheve dhe kontrollin kushton minimalisht 1,000 euro. Vetëm një kamerë kushton nga 50-70 euro. Ndërkohë që mirëmbajtja ka kosto të tjera.

Florian Zekja, menaxher i kompanisë “Tonis Group”, thotë se ky ligj rrit ndjeshëm kostot për biznesin, pasi një abonim te shoqëritë e sigurisë e cila merr përsipër instalimin, por edhe mirëmbajtjen, kushton 100 euro/muaj. Kësaj kostoje i shtohet edhe pagesa e internetit. “Por, nuk është vetëm problemi i kostove, por edhe i mbrojtjes së të dhënave. Bëhet fjalë për të mbikëqyrur punonjësit dhe për ta bërë këtë, duhet që ata minimalisht të pyeten”, thotë z. Zekja. Kompania që ai drejton është duke i instaluar kamerat e brendshme në fabrikën që ndodhet në Peqin.

Por, si Zekja, duket se mendojnë edhe kompani të tjera të mëdha nga ku vijnë edhe kërkesat më të larta.

Shoqëritë e sigurimit flasin për një rritje të kërkesës për pajisjen me sisteme sigurie. Drejtuesit e shoqërisë së sigurimit “Shpresa” thonë se kërkesat për të vendosur kamera sigurie janë rritur me rreth 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas tyre, pavarësisht kërkesave në rritje, biznesi stepet kur vjen puna te blerja e këtyre sistemeve, të cilat janë të kushtueshme.

“Kërkesat janë më të larta se shitjet reale dhe kjo për shkak se biznesi i konsideron tarifat e larta. Megjithatë fluksi pritet të jetë edhe më i lartë, pas hyrjes në fuqi të ligjit për sigurinë publike. Ndërsa sa u përket kërkesave për pajisje me sisteme sigurie nga ana e pallateve, ajo ka qenë më e ulët, kjo për faktin se njerëzit nuk janë në dijeni të këtij ligji të ri”, thonë drejtuesit e shoqërisë “Shpresa”.

Çfarë parashikon ligji

Ligji lindi si nevojë menjëherë pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris, dhe u diskutua gjatë në Komisionet Parlamentare. Ai parashikon vendosjen e kamerave të sigurisë në mënyrë të detyrueshme në shkolla, rrugë, hapësira publike, qendra biznesi e kudo ku grumbullohen në mënyrë të rregullt mbi 50 persona. Pas sulmeve në Bruksel, çdo kryeqytet ka rritur vigjilencën, por zbatimi i këtij ligji në Tiranë, duket se do të hajë edhe kohë burokratike, veç asaj fizike, që duhet për instalimin e kamerave.

Ky ligj përcakton dhe rregullon masat që duhen marrë në zhvillimin normal të aktiviteteve të ndryshme, si në njësitë e veçanta të shërbimit (lokalet e natës), monitorimin e mjeteve të transportit, monitorimin e objekteve të hapura apo të mbyllura, si sheshe, kryqëzime, ambiente para shkollave, parkingje, stadiume, teatro etj., dhe bën të mundur që administratorët apo pronarët e këtyre ambienteve, ku zhvillohen këto aktivitete, të marrin disa masa shtesë për rritjen e mbikëqyrjes dhe identifikimin e aktiviteteve të paligjshme e të autorëve të veprave penale, nëpërmjet kamerave, rojeve të sigurisë etj.

Detyrimi për marrjen e masave shtesë është i lidhur ngushtë edhe me rritjen e angazhimit të Policisë së Shtetit për kontrollin e territorit dhe reagimin e shpejtë për çdo ngjarje dhe autorët e tyre. Policia do të ndihmohet në kohë për autorët e mundshëm nëpërmjet pamjeve filmike të siguruara nga vetë pronarët apo administratorët. Përdorimi i masave shtesë të sigurisë do të shërbejë për identifikimin në kohë shumë të shpejtë të autorëve të veprave penale, duke siguruar identitetin e tyre, dinamikën e ngjarjeve apo dhe rrugën të cilën mund të kenë përshkruar autorët e veprave penale.

Objektet që duhet të vendosin kamera

Në nenin 4 janë përcaktuar subjektet private që detyrohen të marrin masa shtesë sigurie, të cilat janë:

a) subjektet që kanë selinë, mjediset e punës dhe ushtrojnë aktivitetin tregtar në vende të ekspozuara ndaj rrezikut të shtuar për sigurinë, sipas vlerësimit të analizës së riskut të bërë nga Policia e Shtetit;

b) subjektet që kanë mbi 50 punonjës dhe/ose frekuentues që, në mënyrë të vazhdueshme, akomodohen apo frekuentojnë në të njëjtën kohë një mjedis të hapur ose të mbyllur;

c) subjektet që ushtrojnë aktivitet tregtar nga ora 23:00 deri 06:00;

ç) subjektet që kanë aktivitet ekonomik, xhiroja vjetore e së cilës është mbi 10 milionë lekë;

d) subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit;

dh) subjektet që administrojnë mjedise të hapura apo të mbyllura për fëmijë, si: shkolla, kënde lojërash dhe që vlerësohen nga Policia e Shtetit si burim rreziku i shtuar;

e) subjektet që kryejnë veprimtari transporti publik (udhëtarësh, nxënësish) dhe të mallrave të rrezikshme.

Sanksionet dhe e drejta e ankimit

1. Mosmarrja e masave shtesë të sigurisë, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, si më poshtë vijon:

a) Për biznesin e madh, masa e gjobës është nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë;

b) Për biznesin e vogël, masa e gjobës është nga 5 mijë deri në 20 mijë lekë.

2. Gjoba vendoset nga Policia Vendore brenda 30 ditëve nga data e njoftimit për marrjen e masave shtesë të sigurisë.

3. Nëse pas 60 ditëve nga data e vendosjes së gjobës, subjekti nuk përmbush detyrimet e përcaktuara në këtë ligj, atij i hiqet “Vërtetimi i sigurisë”.

4. Në rast se subjekti nuk përmbush detyrimet e përcaktuara në këtë ligj, Policia Vendore njofton zyrtarisht autoritetin përgjegjës për pezullimin/mbylljen e aktivitetit.

5. Kundër vendimeve për sanksionet e parashikuara në pikat 1 dhe 3, të këtij neni, bëhet ankim brenda 30 ditëve nga data e marrjes së vendimit në Komisionin e Shqyrtimit të Ankesave, sipas dispozitave të ligjit nr. 10279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”.

MONITOR