DURRËS, 20 mars 2014 –  Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i kompanisë publike Autoriteti Portual Durrës (APD) sha, Selim Belortaja, paraditen e 19 marsit 2014, priti në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, njoftoi zyra e shtypit e APD-së.

Pasi e falënderoi mysafirin në emër të APD-së për interesin dhe vizitën në portin e Durrësit, Belortaja vlerësoi rëndësinë që ka për portin biznesi dhe ekonomia maqedonase, si dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar me tej bashkëpunimin ekzistues.

Me pas Belortaja shpjegoi përmbledhtas funksionimin e shërbimeve portuale si dhe potencialin e një bashkëpunimi më efektiv, në dobi të ekonomive të dy vendeve dhe rajonit.

Duke vlerësuar lart shërbimet e portit të Durrësit kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski pohoi se porti i Durrësit do të mbetej zgjedhja parësore portuale për biznesin maqedonas dhe se kishte interes për pjesëmarrje më aktive në performancën e portit.

“Dhoma e Tregtisë së Maqedonisë përfaqëson 90 për qind të bizneseve që operojnë në këtë vend, ndërsa zgjerimi i bashkëpunimit me portin e Durrësit, është kyç për zhvillimin e mëtejshëm të vetë biznesit maqedonas”, citohet të ketë thënë kreu i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/