Tërmeti shkatërrimtar që goditi Durrësin më 26 nëntor, veç 51 jetëve që mori, shkaktoi edhe dëme kolosale: duke prekur banesat, pallatet, hotelet, institucionet dhe bizneset e vendit. Me qindra prej tyre u dëmtuan totalisht, ndërsa në shumë të tjera dëmet janë të konsiderueshme dhe duhet kosto e madhe për rindërtimin.
Një ndër bizneset e prekura ishte edhe “Pespa Alumin” në zonën e Shkozetit, që u shkatërrua, ndërsa u rrezikua edhe jeta e pronarit dhe familjarëve të tij. Lavdosh Petoshati ishte në godinë kur ajo u shemb dhe arriti të nxirrej shëndoshë e mirë nga rrënojat pas disa orësh, ndërsa për fat familjarët kishin arritur të dilnin para tij.
Por pasi kaloi rrezikun e madh dhe të dilte me shëndet të plotë nga rrënojat ku ka ngritur biznesin, konstatoi problemin e rëndë me të cilin do të përballej në ditët në vazhdim. E gjithë ndërmarrja ku ka të punësuar 300 punëtorë u shkatërrua në ato 30 sekonda të tmerrshme dhe tani janë në rrezik falimentimi.
300 punëtorë kanë mbetur pa punë, ndërsa kostoja për rimëkëmbjen e kompanisë është e lartë. Pavarësisht se biznesi ka pësuar shumë dëme, dhe nuk dihet nëse do të marrin veten nga e gjithë situata e rëndë, kjo nuk e ka ndaluar të dhurojë 5 milionë lekë për të prekurit nga tërmeti.
Sot, “Pespa group” kërkon fondacion për rindërtim dhe të kthejë 300 punëtorët në punë. Me anë të këtyre videove të realizuara nga stafi i kompanisë, bëhet apel për ndihmë, ndërsa tregohet edhe ndihma e parë që ka ardhur nga një komunitet shqiptar në Irlandë, menjëherë pasi mësuan fatkeqësinë që kishte goditur firmën në Durrës.
Marsida Lala, pjesë e stafit të administratës së kompanisë, bën apel për ndihmë në “DurrësLajm”, për rimëkëmbjen e “Pespës” teksa vë theksin te fati i 300 punëtorëve, që sot janë më të prekur se kurrë, pasi një pjesë e tyre kanë mbetur edhe pa shtëpi, e nesër rrezikojnë të mbeten edhe pa punë.
“Pespa është dëmtuar shumë, dhe në ndihmë të saj kemi bërë këto video për të mbledhur fonde, me qëllimin e vetëm për ta rimëkëmbur dhe për t’iu dhënë sërish punë punonjësve.
Pika më e fortë janë punëtorët që kanë mbetur pa punë. Ata janë të prekur nga tërmeti edhe vetë, kanë mbetur pa shtëpi, pa asgjë. Duan të paktën vendin e punes që t’iu rregullohet e të kenë sërish një mundësi për burim lekësh që të ushqejnë familjet e tyre”, thotë për “DurrësLajm” Marsida Lala.
S.L.





