Një ditë pas kontrollit tatimor tek kompania “A.I.B.A”, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës ka reaguar përmes një njoftimi për shtyp.

Një reagim shporpocional dhe të paramenduar” e cilëson kjo Dhomë kontrollin e 15 tatimorëve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në kompanitë e vëllezërve Agron dhe Armand Duka, ndërsa thekson se kjo sjellje shkon në dëm të klimës së të bërit biznes dhe ushtrimit të sipërmarrjes së lirë.

“Sot biznesi në Durrës, por edhe më gjerë ndihet i kërcënuar nga presioni që mund të ushtrojë shteti dhe institucionet e tij ndaj subjekteve private.

Reagime të tilla të instancave shtetërore i përngjajnë një presioni publik dhe politik, që kërcënon biznesin e ndershëm për të ushtruar veprimtarinë e tij”,- shkruhet në deklaratën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës.

Ky institucion kërkon nga organet ligjzbatuese zbardhjen sa më parë dhe ndëshkimin e autorit/ve të shpërthimit me eksploziv në shtëpinë e kreut të FSHF-së dhe biznesmenit Armand Duka.

Njëkohësisht Dhoma i kërkon DPT-së të heqë dorë nga “kontrollet e orkestruara”.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës i bën apel Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të heqë dorë nga kontrollet e orkestruara dhe të zbatojë ligjin dhe dispozitat ligjore me përpikmëri, e pandikuar nga askush”,– përfundon reagimi.

Reagimi i plotë:

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës ndoqi me shqetësim zhvillimet e ditës së hënës në kompaninë “A.I.B.A Kompani” dhe biznese të tjera të vëllezërve Agron dhe Armand Duka. Kontrolli i ushtruar në këtë kompani nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve menjëherë pas zhurmës mediatike, që pasoi publikimi nga ana e FSHF-së e një audio përgjimi, ku dëgjohej kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ndërsa fliste me shprehje të papërshtatshme me anëtarë të Shoqatës së Futbollit Tirana ngjante me një reagim shporpocional dhe të paramenduar.

Kontrolli i beftë dhe i komanduar i 15 tatimorëve në kompanitë e vëllezërve Duka ndikon drejtpërsëdrejti në klimën e të bërit biznes dhe ushtrimin e sipërmarrjes së lirë.

Sot biznesi në Durrës, por edhe më gjerë ndihet i kërcënuar nga presioni që mund të ushtrojë shteti dhe institucionet e tij ndaj subjekteve private.

Reagime të tilla të instancave shtetërore i përngjajnë një presioni publik dhe politik, që kërcënon biznesin e ndershëm për të ushtruar veprimtarinë e tij.

Eksplozivi në derën e shtëpisë së kreut të FSHF-së, por njëkohësisht biznesmenit Armand Duka është një ngjarje shumë e rëndë. Zbardhja sa më parë e saj dhe ndëshkimi i autorit/ve do të përçonte tek sipërmarrja private sinjalin pozitiv se institucionet ligjzbatuese janë në mbrojtje të biznesit.   

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës i bën apel Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të heqë dorë nga kontrollet e orkestruara dhe të zbatojë ligjin dhe dispozitat ligjore me përpikmëri, e pandikuar nga askush.