Pas tërmetit të 26 nëntorit, masat drastike të marra javën e fundit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vendin tonë janë goditja e dytë që bizneset e Durrësit marrin në harkun kohor të pak muajve.

Megjithëse janë tërësisht të predispozuar të respektojnë me rigorozitet të gjitha masat mbrojtëse që parashikon akti normativ i qeverisë (i pabotuar akoma në fletoren zyrtare, por i bërë publik në media), ata ndihen të shqetësuar për ecurinë e aktivitetit tregtar dhe koston reale që do t’u kushtojë e gjitha kjo situatë, që ende nuk dihet kur do të mbarojë.

Sipas kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve prodhuese kanë rinisur aktivitetin ditën e hënë, ndërsa pjesa tjetër pritet ta nisin ditën e martë.

“Në këto ditë të vështira për të gjithë e rëndësishme është të mos ndërpritet prodhimi, pasi në të kundërt ekonomia do të kolapsohej tërësisht” – thotë Isteri për DurrësLajm.

Sipas tij, një biznes me rreth 50 punëtorë ka rreth 300 euro kosto të shtuar ditë për ditë, në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vend.

“Duhen siguruar maskat për punonjësit, dezinfektantët, është bërë privatisht dezinfektimi i ambienteve. Të gjitha këto janë kosto të shtuara për biznesin. Në disa raste, ata përballen edhe me mosparaqitjen e punonjësve në punë, për shkak të situatës së krijuar”,– thotë Isteri.

Por ajo që është problem për biznesin durrsak në këto ditë është fakti se ende qeveria nuk ka dalë me një paketë masash për të lehtësuar subjektet private nga efektet negative të shkaktuara nga masat drastike.

“Jemi në një situatë të tillë, ku nga njëra anë qeveria kërkon nga biznesi respektimin e masave mbrojtëse njësoj si në vendet evropiane, ndërsa nga ana tjetër nuk ofron një paketë fiskale ndihmëse për biznesin me parametrat evropiane, ashtu siç po bëjnë vendet më të zhvilluara të BE-së. Bizneset duan të vazhdojnë punën duke respektuar masat mbrojtëse. Nëse biznesi ndalon, gjithçka ndalon”, thotë Isteri.

Krahas bizneseve prodhuese për të cilat qeveria është shprehur qartë se do të vazhdojnë punën, në Durrës, numri i bizneseve të vogla si dhe atyre që ushtrojnë aktivitetin në sektorin e turizmit dhe shërbimeve është shumë i madh. Aktualisht këto biznese kanë 4 ditë që nuk ushtrojnë më aktivitetin. Në bizneset e vogla, që shpesh funksionojnë si biznese familjare, të ardhura mujore sigurohen tërësisht nga aktiviteti tregtar. Prej 4 ditësh, konsumi familjar është përqendruar vetëm në shportën ushqimore dhe atë mjekësore, ndërkohë që të gjithë bizneset e tjera kanë ulur qepenët dhe nuk dinë se kur do mund t’i rikthehen aktivitetit.

Ndërsa në turizëm goditja është edhe më e madhe, sepse operatorët e këtij sektori kishin shpresuar që ardhja e pranverës mund të shërbente për thithjen e turistëve, por situata e rëndë e krijuar në vendin tonë, në Evropë dhe në botë e ka paralizuar tërësisht aktivitetin e tyre.

Sipas Isterit, rimbursimi i biznesit, shtyrja e kësteve të kredive në banka, pagesat e punonjësve përmes Fondit të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore etj janë vetëm disa nga pikat që duhet të përmbajë plani i masave që duhet të hartojë qeveria.

“Deri më tani dëgjojmë qeverinë të flasë vetëm për gjoba ndaj bizneseve që shkelin masat strikte. Ka ardhur koha të dëgjojmë qeverinë të deklarojë hartimin e një plani konkret në ndihmë të biznesit”,- thotë Isteri.

Për këtë arsye, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Durrës i janë drejtuar qeverisë Rama me një paketë kërkesash që në datë 12 mars, kërkesa këto që konsistojnë në përmirësimin, menaxhimin dhe kapërcimin e situatës së jashtëzakonshme në të cilën ndodhet Shqipëria.

  • Punonjësit që do të rrinë në shtëpi për arsye të mbylljes së aktiviteteve, si dhe ato që do të vetekarantinohen, të trajtohen si të sëmurë dhe të paguhen nga Fondi i Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore, për një periudhë të paktën 1 mujore dhe pastaj sipas situatës,
  • Shtyrja e afatit të dorëzimit të Pasqyrave Financiare për vitin 2019, pranë Tatim Taksave,
  • Pezullimi i pagesave fiskale, minimumi për dy muaj dhe pastaj sipas situatës,
  • Pezullimi i interesave dhe kësteve të kredive të Sipërmarrjes private për një periudhë 3 mujove minimalisht,
  • Për të gjitha sipërmarrjet e afektuara nga masat e marra të rimbursohen rast pas rasti sipas dëmit të krijuar pas një ekspertize të argumentuar dhe të çertifikuar nga ekspertët,
  • Të mos bllokohen llogaritë bankare për efekt të detyrimeve fiskale për afatin e kohëzgjatjes së situatës virale,
  • Të mos ndërpriten energjia elektrike, uji dhe shërbimet e tjera bazike për arsye mospagesash,
  • Të mund të pezullohet me ligj (duke i zeruar të gjitha detyrimet) aktiviteti i subjekteve të pezulluara me urdhër nga qeveria (bar, restorante, palestra, transport publik, etj.)

“Si rezultat i realizimit të këtyre kërkesave, do të kishim një lehtësim e përmirësim të situatës së bizneseve, rikuperimin dhe rifillimin e punës sa më shpejt të jetë e mundur.

Kërkojmë bashkëpunimin dhe mbështetjen e Institucioneve Shtetërore me qëllim që t’u japin qytetarëve mundësinë dhe besimin për rifillimin e jetës, aktivitetit ekonomik të qytetit si dhe kthimin e gjendjes së jashtëzakonshme në normalitet”,- shkruhet në letrën me të cilën Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Durrës i janë drejtuar qeverisë.

M.B.