Operatorët turistikë, biznesi i vogël dhe banorët e zonës së plazhit, i bëjnë apel bashkisë së Durrësit të hapë rrugën për makinat e për qarkullimin e njerëzve lirisht në këtë zonë. Fundi i muajit qershor ka përkuar me bllokim të të gjithë aktiviteteve si rezultat i punimeve në rrugë, dhe mungesës së parkingjeve.

Janë një zëri të gjitha subjektet e biznesit,që i kujtojnë kreut të bashkisë premtimin e bërë, që më 1 korrik, do të hapë rrugën nacionale “Pavarësia”.

“Nuk vjen e nuk ndalon dot asnjë turist në plazh. Nuk ka ku të ndalojë, për aq kohë sa rruga është e bllokuar gropa-gropa, në pluhur e qamet”, thotë komuniteti i biznesit.  

“Po presim që të hedhin asfaltin në rrugë, sepse jemi të bllokuar. Na ka thënë kryetari që në një korrik do të mbyllen punimet e rruga do të shtrohet me asfalt”, thotë pronari i një qebaptoreje.

Një grua pronare e një dyqani ushqimor, në anë të rrugës, është tejet e irrituar.

“Paguajmë taksa e tatime, nuk na falin asnjë qindarkë, dua të hapet rruga sepse jemi të falimentuar”, shprehet zonja.

Të gjithë banorët kanë të njëjtin shqetësim, për aktivitetin e jetës së tyre të përditshme, por edhe për turistët.

K.H.