12 shtator 2015 – Kontrollet janë intensifikuar në terren dhe rrethi i bizneseve ilegale po ngushtohet. Të paktën, ky është konkluzioni që vjen, jo vetëm nga fluksi i jashtëzakonshëm në Qendrat Kombëtare të Regjistrimit, por edhe nga orientimi që kërkojnë sipërmarrësit, në mënyrë që të mos e pësojnë nga kontrollet e inspektorëve të Tatimeve. Këto të fundit duket se janë shtuar së tepërmi, madje, tregtarët dëshmojnë se hasin 3 apo 4 kontrolle në ditë. Në këtë situatë, pikat e shitjes së gazetave apo edhe tregtarët që operojnë në rrugë ambulante, janë gjetur të papërgatitur përballë inspektorëve.

Erion Prifti, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve ndaj Tatimpaguesve, thotë për “Shekulli”-n se, ashtu si bizneset e tjera, edhe pikat e tregtimit të gazetave konsiderohen subjekte tregtare dhe si të tilla duhet të pajisjen me kasë fiskale e të lëshojnë kupon tatimor për çdo mall që shesin. Nga ana tjetër, Prifti sqaroi edhe procedurën se si duhet të veprojnë sipërmarrësit, në çastin kur kasa e tyre pëson defekt dhe nuk është në gjendje të nxjerrë kuponin.

“Subjekti duhet të pajiset me dëftesë tatimore, një bllok që tërhiqet nga tatimpaguesit nëpërmjet Drejtorisë Tatimore Rajonale, ku subjekti është i regjistruar. Dëftesa prodhohet nga DPT me numra serialë me 7 shifra. Përdorimi i saj ka afate”, thotë Prifti. Gjatë ditëve të fundit, shumë biznese u janë drejtuar pikave të kancelarive për të marrë blloqe faturash, në mënyrë që të mos penalizohen, por duket se ata nuk do të vlejnë.

Dëftesa tatimore në vend të kasës 

Afati i zakonshëm për përdorimin e dëftesës tatimore zgjat dy javë, por nëpërmjet mbajtjes së lidhjes mes DPT-së dhe bizneseve, ai zgjatet deri sa këta të fundit të vënë në përdorim kasën. Dëftesa tatimore përdoret vetëm në rastet kur tatimpaguesi ka konstatuar dhe ka njoftuar për dëmtimin e pajisjes fiskale dhe mungesën e përdorimit të saj deri në momentin e rregullimit sipas afatave të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore.

Dëftesa prodhohet nga DPT, nga dy kopje të të njëjtit numër serial me letër vetëkopjuese dhe me ngjyra të ndryshme, nga të cilat kopja me ngjyrë të bardhë i jepet klientit, dhe kopja me ngjyrë të verdhë mbetet në bllokun e tatimpaguesit. Ajo shërben për përllogaritjen e xhiros së realizuar nëpërmjet lëshimit të dëftësës tatimore (për efekte kontrolli nga ana e organeve tatimore). Shuma e shitjeve të realizuara nga lëshimi i dëftesës i shtohet shitjeve të realizuara të realizuara nëpërmjet pajisjes fiskale.

Transmetimi Po, Transmetimi Jo 

Edhe njoftimi i dy ditëve më parë nga DPT, duket se ka shkaktuar konfuzion te bizneset, pasi kërkesën për transmetim online në serverin e Tatimeve, ata nuk kanë ditur ta interpretojnë. Prifti sqaron se kjo nuk është një thirrje apo kërkesë e re, por është apel për të gjithë ata biznese, të cilat nuk kanë përdorur kasat fiskale sipas rregullave në fuqi.

“Ky është proces automatik, të cilin duhet ta kryejë çdo biznes në fund të ditës me kasën fiskale. Në momentin që bëhet veprimi i mbylljes së xhiros ditore, kasa transmeton në serverin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Ne e bëmë këtë njoftim se kemi vënë re tendencën e bizneseve për të mos bërë transmetimet e xhiros ditore, me pajisjen e tyre fiskale”.

Por nisur nga përvoja që kanë tregtarët me kasat e tyre, në një pjesë të konsiderueshme të rasteve ndodh që për shkak të ngarkesës në rrjet apo defekteve të mundshme, transmetimi në server nuk kalon. Prifti sqaron se kur shfaqen probleme të tilla, biznesi duhet të komunikojë me kompaninë e kasave dhe nëse transmetimi nuk zgjidhet përgjegjësia bie me kompaninë e kasave.

Inspektimet

Një sasi e konsiderueshme librash shkollorë janë bllokuar dje nga inspektorët e tatimeve në Vlorë, pasi tregtarët që i shisnin pranë shkollave nuk përdornin kasë fiskale e për pasojë nuk jepnin kupon tatimor. Aksioni kundër informalitetit vijon me intensitet në qytetin bregdetar. Aksioni i Drejtorisë së Tatimeve kundër informalitetit në Vlorë nuk ka kursyer as shitësit e librave, që tregtohen pranë shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të qytetit bregdetar.

Shitja e librave, duke mos përdorur kasën fiskale dhe kuponin tatimor ka sjellë sekuestrimin e librave nga ana e inspektorëve të tatimeve. Inspektorët raportojnë se, nga kontrollet është konstatuar se individët që po merren me shitjen dhe shpërndarjen e librave, ndër të tjera janë të pasiguruar, ndërsa zyrtarët pohojnë se aksioni kundër informalitetit do të vijojë pa ndërprerje. Inspektorët e Tatim-taksave vijojnë të kalojnë në sitë të gjitha subjektet tregtarë në qytetin bregdetar. /Shekulli

/portali DurresLajm/