Formalizimi i ekonomisë, një nga reformat e ndërmarra nga qeveria Rama, në vitin e dytë të qeverisjes, bëri të domosdoshme blerjen e kasës fiskale nga çdo biznes, i madh ose i vogël qoftë.

Kasa fiskale është kështu e pranishme në çdo biznes, pavarësisht se jo gjithnjë një shërbim i marrë shoqërohet me faturën tatimore.

Mirëmbajtja dhe mirëfunksionimi i kasës fiskale është një detyrim për biznesin, por nganjëherë kjo procedurë përkthehet në humbje kohe për biznesmenët apo tregtarët e vegjël.

Kjo për shkak se në zyrat ku pajisesh me kasë fiskale, riparon kasën ekzistuese apo lidh kontratën e re regjistrohen rradhë të gjata dhe shpesh duhen disa orë për të mbaruar punë. Madje mund të rikthehesh sërish të nesërmen…

Fotot që sjell DurrësLajm pasqyrojnë rradhët e krijuara në një nga këto zyra dhe pritjen e gjatë të qytetarëve në to.

Dihet që çdo orë e humbur për biznesin përkthehet në ulje të fitimit, prandaj evitimi i rradhëve dhe pritjeve të tejzgjatura do të ishte në interes si të biznesit, ashtu dhe kompanive që ofrojnë këtë shërbim në Durrës.