Eugenio Galdón është spanjolli që pa tmerr me sy teksa kishte zgjedhur të vizitonte Porto Palermon në Shqipëri dhe fati e përballi me Mihal Kokëdhimën. Galdon së bashku me familjen e tij zgjodhi që këtë verë ta kalonte në Shqipëri, ku dhe u përball me një skenar të frikshëm filmi që u pa nga të gjithë pas publikimit të videos, ku pronari i restorant ‘Panormës’ shihej i hipur mbi kofanon e furgonit të spanjollëve.

Por kush është Eugenio Galdon?

Ai ka lindur më 22 qershor të vitit 1950 dhe është një nga njerëzit më të pasur në Spanjë. Galdon është themeluesi i kompanisë ONO (që ofron shërbimin telefonik, televiziv dhe internet) dhe e ka udhëhequr atë deri në nëntor të vitit 2018.

Por përveç biznesit, ai njihet si një emër shumë i rëndësishëm edhe në administratë, teksa ka mbajtur poste mjaft të larta. Galdon ka qenë shefi i kabinetit të kryeministrit spanjoll, Adolfo Suárez dhe ish-drejtor i grupeve mediatike Prisa ose COPE.

Që nga viti 1992, ai është president dhe aksionar mazhoritar i “Multitel”, një grup biznesi që themeloi për të investuar në projekte që lidhen me median dhe telekomunikacionin në Spanjë duke qenë se ONO, i është shitur në mars të viti 2014 “Vodafone”  për 7.2 miliardë euro.

Që nga Marsi 2014 ai është gjithashtu president i Fondacionit “Everis” për botën e biznesit dhe anëtar i Bordit Këshillimor të kompanisë. Ai është pjesë e 200 njerëzve më të pasur në Spanjë. Eugenio Galdón ndodhet në vendin e 139.