Dy biznesmenë të shkëlqyer të Durrësit janë nderuar me titullin “Nderi i qytetit të Durrësit” gjatë ceremonisë së festës tradicionale “ Festa e Detit”. Ndriçim Osmani dhe Julian Bërxulli, dy biznesmenë të cilët kontribuojnë prej vitesh në zhvillimin ekonomik të qytetit të Durrësit, me punësimin e dhjetëra dhe qindra vajzave e grave, u nderuan nga shoqata "Durrësi" në bashkëpunim me bashkinë e qytetit.

“Festa e detit”, ka nisur  fillimisht me një shëtitje me anije brigjeve të Durrësit, më pas qytetarë dhe anëtarë të shoqatës "Durrësi" kanë marrë pjesë në aktivitetin e organizuar me këtë rast.

Në hollin e pallatit të kulturës të pranishmit janë njohur me fotoekspozitat e dy biznesmenëve në vite, të cilët nëpërmjet kolazheve fotografike kanë zbuluar aktivitetin e tyre.  Biznesmenët   janë vlerësuar me këtë titull me motivacionin “për kontributin në zhvillimin ekonomik të qytetit si dhe punësimin e personave në sektorë të ndryshëm të biznesit”. Titujt në fjalë u janë dorëzuar personazheve të njohur të kompanive “Insifa” dhe “Ambra” nga  shefi i kabinetit të Bashkisë Durrës Lavdosh Beqiraj dhe prefekti Emiljan Jani.

“Këtë titull ia dedikoj një personi special, themeluesit  të firmës, që me shumë sakrifica, mund dhe përkushtim e rriti firmën ‘Ambra’ dhe e solli këtu ku është sot, ai është i shtrenjti dhe i paharrueshmi babai im, Xhemal Bërxulli”- u shpreh Juliani pas marrjes së titullit.

Ndarja e çmimeve është zhvilluar gjatë koncertit në të cilin kanë marrë pjesë këngëtarë të mirënjohur të skenës shqiptare, si Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Irma Libohova, Reshit Gjini, Olta Boka, Kejsi Tola etj.

K.H.