6 maj 2015 – Vetëm Dega e PS-së Durrës në kuadrin e transparencës ka bërë publike listën e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë në Durrës. PD-ja dhe LSI-ja nuk e kanë parë të arsyeshme t’i bëjnë publike listat përkatëse për anëtarë të Këshillit Bashkiak.

Nga burime brenda KQZ-së mësuam diçka për përbërjen e listës për këshilltarë bashkiakë të LSI-së Durrës. Lista kryesohet nga biznesmeni i sukseshëm Artur Bujari, pronari i firmës së mirënjohur ‘Buna SHPK’. Kompania e z. Bujari me një traditë mbi 20-vjeçare në tregtimin e prodhimin e mobiljeve dhe dyshekëve, vitet e fundit ka diversifikuar portofolin e investimeve. Ajo ka investuar në prodhimin për eksport të ambalazheve me letër e karton si edhe në agro-industri me synim të mëvonshëm agro-turizmin. Partnerët në biznes të z. Bujari janë që nga Barleta e Puljes deri në portin e Ashdod-it në Izrael.

Këshilltari tjetër që kryeson listën e LSI-së për Durrësin është kirurgu i njohur z. Ilir Shani. Ai me kurajo të skajshme dhe profesionalizëm të lartë merr përsipër çdo operacion në trupin e njeriut nga thonjtë e këmbëve deri në majë të kokës. Z. Shani vazhdon traditën e mirë të kirurgjisë durrsake që nga Dr. Shiroka dhe kirurgu Italian Dr. Lozzi në spitalin fushor gjatë luftës italo-greke, e më pas me emra të tillë të shquar të kirurgjisë durrsake si Dr. Prodani, Dr. Hoti etj.

Kësaj radhe emrat e parë të listës së LSI-së në Durrës ofrojnë vlera të qënësishme  në profesionet e individëve të listuar, ndryshe nga tradita e kësaj partie, që përgjithësisht ofron pragmatizëm dhe allishverishe.

/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/