26 maj 2015 – Fatos Cufaj, 44 vjeç baba i 4 fëmijëve, prej vitit 1997 jeton në Irlandën e Veriut (pjesë e Mbretërisë së Bashkuar). Ai është pronar i 10 lavazheve në zonën e Belfastit, kryeqytetit të Irlandës së Veriut. Fatosi dhe bisneset e tij herë pas here janë bërë objekt sulmesh nga bandat e strukturuara kriminale irlandeze.
Në orën 1 të mëngjesit të datës 25 maj, policia veriirlandeze i telefonoi Fatosit në shtëpi për ta njoftuar se u ishte vënë zjarri dy lavazheve të tij (ku janë punësuar irlandezë dhe shqiptarë). Zjarri kishte dëmtuar ndërtesat e lavazheve, dy makina të parkura në to si edhe makineritë e përdorura në garazh si pompa uji, fshesa me korent, motokompresor etj. Vetëm në njërin nga lavazhet dëmet e shkaktuarai kalojnë të 20 000 stërlinat.
Nuk është hera e parë që bizneset e Fatosit bien pre e sulmeve të ngjashme. Në tetorin e vitit 2008, kur Fatosi ishte pronar i vetëm një lavazhi, në muret e lavazhit u shkruan me bojë sprej parrulla ksenofobike: “Të shporren drogaxhinjtë e huaj. Fatosi pagoi 800 stërlina për të rilyer fasadën e lavazhit.”
Në marsin e vitit 2011 Fatosi kishte në pronësi 2 lavazhe dhe në muret e të dy lavazheve u zhgarravitën përsëri parrulla ksenofobike si: “Jashtë nga qyteti ynë drogaxhinjtë e huaj”. Fatosi pagoi mbi 2 000 stërlina për të lyer me bojë fasadat e zhgarravitura të të dy lavazheve.
Policia nuk ka asnjë fakt, asnjë të dhënë, absolutisht asgjë që ta lidhë Fatos Cufajn me trafikun e drogës. Fatosi është thjesht një shqiptar punëtor, i cili që nga viti 2007 ( dhjetë vjet pasi mbërriti në Irlandën e Veriut), kur hapi lavazhin e parë e deri në vitin 2015 e ka dhjetëfishuar biznesin e vet duke pasur sot plot 10 garazhe.
/Gjergj Thanasi agjencia e lajmeve "Dyrrah"/