Artur Xheka, biznesmeni i dhunuar në videon e publikuar nga Sali Berisha tregon për “Panorama” versionin e tij të ngjarjes dhe konfliktin që ka me biznesmenin Ndriçim Arapi.
Në një prononcim më herët për “Panorama”, shtetasi Ndriçim Arapi u shpreh se nuk ka asnjë vërtetësi në akuzat e bëra nga Xheka, duke sqaruar se ky i fundit i është debitor për 6 muaj qiraje të papaguara, ndërsa ka punuar prej një viti e gjysmë në bizneset në pronësi të tij.
Por biznesmeni tregon se prej 7 muajsh nuk ka me asnjë kontakt me Arapin dhe se nuk ka asnjë dijeni për gjyqin e hapur ndaj tij. Xheka tregon dhe momentet e dhunës nga Ndriçim Arapi dhe të afërmit e tij.
Arapi u shpreh se nuk ka asnjë vërtetësi në akuzat e bëra nga Xheka, duke sqaruar se ky i fundit i është debitor për 6 muaj qiraje të papaguara, ndërsa ka punuar prej një viti e gjysmë në bizneset në pronësi të tij.
“Ndaj tij kam hapur një gjyq, ku kërkoj që të më paguaj 6 muaj qira për të cilat është debitor, si dhe të rikthejë biznesin në gjendjen e mëparshme. Ndaj tij kam hapur gjyq”, është shprehur Arapi.
Ndërkohë, nga ana tjetër ka reaguar edhe shtetasi Artur Xheka, i cili në një komunikim me “Panorama” është shprehur se në dijeninë e tij nuk ka asnjë gjyq të hapur, ndërsa u ka qëndruar akuzave për gjobëvënie si dhe dhunim.

Ai ka treguar se prej 7 muajsh e ka ndërprerë bashkëpunimin me Arapin, dhe se ka qenë ky i fundit i cili e ka nxjerrë nga biznesi i tij.
“Ai ka kërkuar që unë t’i paguaj qira, ndërkohë që unë kam 7 muaj që jam larguar nga ai biznes, pas presioneve të bëra prej tij”, është shprehur Xheka, duke shtuar se nëse është fajtor për këtë konflikt, është i gatshëm që të përballet me drejtësinë dhe se nuk e ka kërcënuar asnjëherë.
“Nëse gjykata më gjen mua fajtor, se nuk i kam paguar qiratë, jam i gatshëm të hyj në burg”, është shprehur ai.
Reagimi i Artur Xhekës:
Nuk është e vërtetë që mua më ka ardhur fletëthirrje nga gjykata ditën e enjte. Sa i takon aksidentit ditën e shtunë, ka qenë provokim nga ana e tij.
Ai hapi rrugën dhe në momentin që unë u nisa, ai më ka përplasur. Kjo nuk është një arsye që zotëria, bashkë me katër persona të tjerë të më dhunojë.
Me Ndriçim Arapin kam 7 muaj që nuk kam asnjë raport pune. Biznesi i tij është liruar prej meje që prej muajit korrik, pas shantazheve të tij, madje në biznesin e tij ka ende pajisje të miat, që ai nuk më lë që ti marr.
Të gjitha janë sajesa nga ana e tij.
Ai do që unë t’i paguaj qiranë, kur unë ia kam liruar, ja këto janë gjobëvënie.
Në një biznes ku ti përzehesh, largohesh, ti nuk ke pas mundësinë që të amortizosh investimin që ke bërë aty, dhe ta kthesh në gjendjen e mëparshme biznesin.
Nuk lyhet ambienti në më pak se një viti punë. Zotëria kërkonte që unë t’i lyeja biznesin… këto janë gjobat që kërkon ai.
Unë kam pasur një tokë në përdorim aty afër, dhe ai më ka marrë 1 milion e 100 mijë lekë (të vjetra), janë edhe në deklaratë të policisë, për atë tokë që nuk është pronë e tij… vetëm me kërcënime e shantazhe, me miqtë e tij që ka nëpër polici dhe AKU.
Nëse unë jam fajtor, duhet të dënohem unë! Por nuk besoj se jam unë fajtori.
Por sido që të jetë puna nuk mund ta dhunosh një person vetë i katër, me të birin, nipin, e të gjithë ata që janë në atë video.
Unë e kam denoncuar 5 herë… i kam kërkuar që të mos më shqetësojë dhe të më lejë të punoj, unë kam pasur edhe djalin e tij në punë dhe i kam thënë që “thuaj babait të më leje rehat të punoj”.
Herën tjetër e kam denoncuar sepse me vuri drynin në ambientin që punoja.
Herën tjetër sepse më vodhi dy pompa..
Herën e katërt sepse më ka çarë plastmasin e serës nga fillimi deri në fund, se s’ka pasur kush ta bëj veç atij.
Dhe hera e 5-stë ka qenë, hera e fundit kur më kanë dhunuar, dhe personi ka dalë nga rajoni më parë se unë kam dalë nga spitali.
Unë kërkoj që të më lejë të qetë dhe nëse unë jam fajtor jam i gatshëm të përballem me drejtësinë.
Nuk e kam kërcënuar asnjëherë.
Nëse gjykata më gjen mua fajtor, se nuk i kam paguar qiratë, jam i gatshëm të hyj në burg.
PANORAMA





