Durrës, 5 prill 2014 – Gjin Nika dyshohet të jetë një kriminel mjaft i rrezikshëm, vrasës me pagesë që kryente aktivitetin e tij thuajse në të gjithë Shqipërinë. Madje sipas policisë, ai dyshohet se ishte pjesë e grupeve që rekrutonin shqiptarë dhe i dërgonin drej konfliktit sirian.
Pista kryesore e hetimit të policisë është veprimtaria e 34-vjeçarit dhe biznesi i kromit në Bulqizë,vendi i origjinës së tij. Gjin Nika ka qënë duke udhëtuar me mikun e tij Fabio Xhunga, nga Fushë-kruja drejt Tiranës, kur në fshatin Qerekë, janë pritur me breshëri kallashnikovi. Të dy kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa 21 persona janë shoqëruar në policinë e Durrësit për të dhënë dëshminë e tyre dhe sqarime rreth ngjarjes dhe njohjeve që kanë pasur me 35 vjeçarin.
Ndërkohë një person është shoqëruar dhe pyetur në policinë e Tiranës, pasi ai dyshohet se është plagosur më parë nga Nika, në zonën e Don Boskos.
34-vjeçari Gjin Nika njihet si biznesmen i kromit në Bulqizë dhe ishte liruar nga burgu disa javë më parë, ku u arrestua si i dyshuar për vrasjen e një tjetër biznesmeni kromi, Hasan Talja, ngjarje e ndodhur në Tiranë,17 janarin e këtij viti.
Nika dyshohet edhe për vrasjen e Qerim Markut, ndodhur në Dibër dhe plagosjen e Gentian Kaçaj, ngjarje kjo e regjistruar në 2013.
Atentati në Fushë Krujë
Shënjestra e atentatit ka qenë Gjini Nika, 34 vjeç si dhe Fabio Xhunga, 33 vjeç banues në Kamëz. Vrasja e dyfishtë ka ndodhur ndërsa dy viktimat udhëtonin nga Tirana drejt Fushë Krujës me një motor në pronësi të Fabio Xhungës.
Biznesmeni i kromit Gjin Nikaj nuk është një emër i panjohur edhe për drejtësinë. Ai është vënë në pranga më 20 Janar 2014, pasi në ngarkim të tij kishte një vendim të gjykatës së Apelit që e dënonte në mungesë si autor i vrasjes së Qerim Markut, ngjarje kjo e ndodhur në Dibër më 2 shtator të vitit 2013.
Ndërkaq ndaj tij u ngrit edhe dyshimi se kishte ekzekutuar pranë shtëpisë së tij në rrugën “Mihal Grameno” biznesmenin e kromit në Bulqizë, Hasan Talja.
Viktima kishte në pronësi disa biznese në vendlindjen e tij, në Bulqizë, mes tyre dhe disa galeri miniere.
Ndërsa ky zinxhir vrasjesh, ku viktima kanë mbetur biznesmenë të kromit në Bulqizë, duket se ka nisur me ekzekutimin e 20 prillit të vitit 2013 në qytetin verior, ku mbeti i vrarë Shefqet Shehu dhe u plagos vëllai i tij, Vehabi Shehu.
Pavarësisht dyshimeve ndaj tij duket se nuk ka pasur prova që e lidhin me vrasjet dhe disa javë më parë Gjin Nika është lënë i lirë, ndërsa të habit fakti se ndaj tij kishte një vendim apeli e megjithatë i riu ishte liruar.
Duket se atentatorët kanë studjuar të gjitha lëvizjet e tij me kujdes derisa i kanë zënë pritë duke e ekzekutuar dhe më pas janë larguar. Ndërkohë Policia e Tiranës ka shoqëruar shtetasin Gentian Kacaj, si të dyshuar për vrasjen e dyfishtë në Fushë Krujë. Sipas policisë, Kacaj dyshohet si autor i krimit pasi kishte hasmëri me biznesmenin Gjin Nika.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





