Gazetari Ermal Mulosmani në një shkrim me titullin “Ku ndryshon Top Channel nga Emiljano Shullazi?” paralajmëronte se televizioni kombëtar, përmes emisionit Inside Story, po shantazhon biznesmenin e fushës së shëndetësisë Klodian Allajbeu.

Kanë kaluar vetëm dy ditë nga shkrimi dhe si për të përligjur paralajmërimin e Mulosmanit, Top Channel njoftoi këtë të hënë se emisioni i radhës i Inside Story do të ketë titullin “Oligarku i Shëndetësisë.” Është e qartë se bëhet fjalë për Klodian Allajbeun, pronarin e Spitalit Amerikan.

I njëjti biznesmen, të cilin vetëm pak kohë më parë i njëjti televizion na e shfaqte si histori suksesi.

Trajtimi i degradimit të sektorit shëndetësor në media është një e mirë publike. Investigimet që tregojnë korrupsionin galopant në këtë sektor po ashtu i shërbëjnë interesit publik. Por a është ky rasti?

A është nisur me të vërtetë emisioni nga interesi publik për të investiguar padrejtësitë dhe korrupsionin në sektorin e shëndetësisë? Ne këtë nuk e dimë.

Por të sigurtë dimë se Nadir Causholli për shumë kohë ishte një kriminel që kishte korruptuar gjithë sistemin e shëndetësisë. Dhe befas një ditë u shndërrua në një nga biznesmenët më model në fushën e shëndetësisë. Për 250 mijë arsye.

Dimë se inceneratori rriti jetëgjatësinë e banorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Thonë për 8 milionë e gjysmë arsye.

Se AZHBR është një institucion i zhytur në korrupsion. Sipas aplikimit që publikoi Kryeministri për 120 mijë arsye.

Të gjitha këto i kemi mësuar nga investigimet e të njëjtit emision.

Tashmë do mësojmë dhe bëmat e Oligarkut të Shëndetësisë. Këtë herë- thonë- për 300 mijë arsye. Në vit, në vit. Jo one-off.

Dimë dhe një gjë të fundit. Sot shantazhi mediatik është biznesi më fitimprurës në Shqipëri. Me normë fitimi më të lartë se tregtia e kokainës dhe normë taksimi më të ulët se hotelet me 5 yje.

Tashmë na mbetet vetëm të mësojmë edhe dicka tjetër. A do të bëhet sërish “Oligarku i shëndetësisë” Klodian Allajbeu biznesmen model? Apo do të refuzojë t’u përgjigjet 300 mijë arsyeve? Mbani frymën miq. Sfida ka nisur./Kapitali.al