31 korrik 2015 – Një sipërmarrës italian që po kërkon suksesin e tij në vendin tonë ka ndërmarrë një nismë të veçantë për ekosistemin e qëndrueshëm, duke përfshirë në të njëjtin projekt pensionistë, studentë dhe nxënës të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare.

Megjithë vështirësitë që ka realizimi i një qëllimi të tillë, Massimo Biz po bashkëpunon me Qendrën e të Moshuarve në Durrës, me shkollën “7 Marsi” dhe atë të mesme bujqësore të Golemit, duke synuar riciklimin e kapsulave të kafesë dhe duke përdorur më pas mbetjen e saj për kultivimin dhe rritjen e luleve Petunia. 

Masimo dhe miqtë e tij të të gjitha moshave e kanë paraqitur nismën e tyre në festën e 1 Qershorit, por kërkojnë më shumë vëmendje dhe mbështetje nga institucionet. Ai ka kërkuar bashkëpunimin e studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Arteve për të vendosur në kutitë e kafesë edhe vizatimet që pasqyrojnë në mënyra të thjeshta idetë e ambientalistëve. Mënyra, që sipas Masimos bashkojnë në të njëjtën inisiativë qytetare vlerat dhe kontributin e moshave të ndryshme.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/