Biznesmeni italian që kërcënohej me jetë e me mbyllje aktiviteti nga 25- vjeçari shqiptar është Mario Patrocci.  Ai e njihte Velson Qyranin, pasi  i riu kishte punuar për të gati një vit në aktivitetin “Call Center”, që italiani ka patur në qytetin e Korçës.

Në dëshminë e dhënë pas arrestimit të 25- vjeçarit, Patrocci thotë se Velsonin e ka njohur si “djalë të mirë, por me disa probleme”.

“E njoh atë djalë, më vjen keq që ka arritur deri këtu. Qyrani ka punuar për mua 1 vit në një Call Center që kam patur. Për sa e njoh është person i mirë, por me disa probleme. Më ka kërkuar 20 mijë lekë borxh, ia kam dhënë. Të dielën e kaluar më hodhi një letër poshtë derës. E kam parë letrën dhe jam çuditur nga sjellja e tij. Ajo që e ka shtyrë 25-vjeçarin ishte varësia ndaj drogës. Kur ka punuar me mua është paguar rregullisht. Nuk jam frikësuar, do vazhdoj biznesin në Shqipëri”,- tha biznesmeni italian.