Një ditë pas ngjarjes së rëndë, ku 3 katet të një pallati shumëkatësh në zonën e Shkëmbit të Kavajës u rrëzuan, policia e Durrësit ka nisur procedimin penal dhe po punon për kapjen e ndërtuesit të pallatit E.Sh., 49 vjeç, banues në Durrës.
Siç raportomn policia e Durrësit, më datë 17.02.2017, ora 13:15, tek Shkëmbi i Kavajës, pronë e shtetasit të mësipërm, janë shëmbur tre katet e fundit, duke rrezikuar jetën e banorëve.
Fatmirësisht nga ngjarja e rëndë nuk ka pasur dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale.
Tre katet e fundit kanë qenë me konstruksione metalike dhe nuk kishin përfunduar punimet, pasi ndërtuesi nuk dispononte leje ndërtimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale "Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia" dhe "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë" parashikuar në nenet 161 dhe 289 të Kodit Penal.





