Gjykata e Krimeve të Rënda administroi sot, pas dështimit të 15 seancave gjyqësore një pjesë të dëshmisë së biznesmenit Ylvi Beqja.
Pas dy muajsh zvarritje, pesë gjyqtarët vendosen të vazhdojnë procesin e sigurimit të provës në prani të avokatëve të caktuar nga shtetit për të pandehurit.
Në seancën që u zhvillua me dyer të mbyllura Beqja ka shpjeguar njohjen me Shullazin dhe kontratën për ish-hotel Vollgën, raporton ABC News.
Ai ka rrëfyer për takimin me Shullazin në një lokal në zonën e Rrugës së Kavajës, ku edhe i ka treguar për problemin e pronës së ish-hotel Vollgës në Durrës.
Para gjykatës, Beqja ka treguar se Shullazi kishte marrë përsipër ri regjistrimin e pronës në Hipotekë kundrejt shpërblimit prej 20 % të pronës. Marrëveshje që është pranuar nga dy palët. Por, më pas nën kërcënimin e armës, Emiljano Shullazi e kishte detyruar të firmoste një kontratë, sipas së cilës i dhuronte edhe 10 % të pronës. Pra në total Shullazi merrte 30 për qind të aksioneve të ish-hotel Vollgës në Durrës. “Këtë kontratë e kam firmosur nën presion”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.
Po kështu ai ka treguar edhe kërcënimin me armë që Shullazi i ka bërë pranë zyrës së noteres në Durrës, ku i ka kërkuar t’ia dorëzojë paratë e shitjes së një pjese të objektit të ish-hotel Vollgës. Mësohet se Ylvi Beqja ka thënë se kishte paguar para cash tek Shullazi dhe pjesëtarët e bandës së tij, deri në momentin kur kompania arabe, që biznesmeni e përfaqësonte në Shqipëri i kishte kërkuar të mos lëshonte më para në dorë, por çeqe.
Beqja i ka thënë gjykatës se Shullazi i kishte kërkuar që çeqet t’i shkruajë në emër të Gilmando Danit dhe personave të tjerë, që më pas rezultuan se ishin nipi i Shullazit dhe shoku i tij.
Pas largimit të një prej avokatëve të caktuar nga shteti, dëshmia e biznesmenit është lënë përgjysëm dhe pritet që seanca të vazhdojë sërish të hënën e javës së ardhshme.
Në sallë, nuk ishin të pranishëm personat e akuzuar, ndërsa Shullazi është në spitalin e burgut pasi ka patur probleme shëndetësore.





