Ishte muaji shkurt i këtij viti kur biznesmeni Gëzim Memlika u godit për vdekje nga një makinë, teksa po kalonte vijat e bardha, ndërsa këtë të martë gjykata ka vendosur që të lërë në burg autorin duke i dhënë një dënim që për familjarët e sipërmarrësit është i papranueshëm.
5 muaj pas aksidentit gjykata ka vendosur që të lërë në burg për tre vite Albi Picallin, një vendim që sipas familjarëve të biznesmenit do të apelohet.
“Vendimi është i papranueshëm nga ana jonë. Babai jonë ka humbur jetën në mes të ditës duke ecur në vizat e bardha. Është bërë një kërkesë qesharake nga ana e prokurores Anisa Qilimi, prej 2.6 vite burg. Dmth një person që humbet jetën pa pasur asnjë faj duke ecur në të drejtën e tij, të kërkohet një dënim qesharak për ne është e papranueshme dhe sigurisht që do ta apelojmë dhe do të ngrejmë zërin. Kjo çështje nuk do lihet me kaq. Thjesht kërkojmë nga organet kopetente që të zbatojnë ligjin, sepse nuk mund ta pranojmë që gjaku i babait tonë të shitet me lekë.”– është shprehur e bija e viktimës, Lira Memlika.
Nga 2 vjet e 6 muaj burgim që kërkoi prokuroria, gjykata e dënoi shkaktarin e aksidentit me tre vite burg, duke shënuar nga rastet e rralla, kur gjykata tejkalon kërkesën e Prokurorisë. Ndërkohë, familjarët pritet t’i drejtohen me një ankese edhe institucioneve të Vettingut./tch





