Në seancën e radhës gjyqësore ndaj Emiliano Shullazit dhe grupit të tij, biznesmeni Ylvi Beqaj ka dhënë dëshminë e tij të dytë.
Ai është sjellë në Gjykatën e Krimeve të Rënda nën masa të forta sigurie dhe gjatë seancës, iu ka qëndruar të njëjtave deklaratave që ka dhënë në dëshminë e parë, duke deklaruar se është kërcënuar dhe i është vënë gjobë nga Shullazi.
Në seancën e 20 qershorit, Beqaj ka dëshmuar për 5 orë radhazi, ku ka sqaruar peripecitë e kaluara në verën e vitit 2014 kur avokati i tij e kishte njohur me Emiljano Shullazin, në mënyre që ta ndihmonte për të regjistruar në Hipotekë, ish-hotel Vollgën në Durrës.
Sipas Beqajt, për këtë marrëveshje Shullazi i kishte kërkuar 20% të pronës por më vonë, nën kërcënimin e armës kontrata ishte ndryshuar në 30%.
Ai tha para gjykatës se i kishte dhënë Shullazit dhe anëtarëve të tjerë të grupit rreth 600 mije euro, në periudha të ndryshme kohore, dhe kjo e kishte detyruar që të bënte denoncimin.





