Planet artistike në fushën e kinemasë nuk i kanë munguar edhe për sezonin që shkoi dhe për të riun është sërish duke menduar gjëra të tjera. Bjordi Mezini, djaloshi që u bë i njohur pas garës në Big Brother 2, prej vitesh e ka gjetur veten në regji dhe aktrim duke sjellë vazhdimisht projekete të reja.

Aktualisht, Bjordi po punon për një serial të ri për sezonin e ardhshëm dhe ka në dorë paralelisht dy projekte. Siç tregon ai në një speciale për Prive, veten e gjen më mirë dhe më të sigurt te komedia: “Po filloj të shkruaj diçka edhe për një film me metrazh të gjatë, projekte të natyrës së komedisë, jo pse janë të thjeshtë, por akoma nuk ndihem gati për diçka më të fortë emocionalisht, në komedi ndihem më mirë…”

Ndërkohë vijon punën edhe me reklamat dhe promocionet e ndryshme, të cilat po ashtu nuk janë të pakta. Përveç këtyre arritjeve profesionale, Bjordi ka gjetur rehat edhe me jetën personale. Prej kohësh, ai jeton një lidhje dashurie me Jona Spahiun, e cila aktualisht vazhdon studimet në Austri.

Megjithëse distanca nuk i lejon të kalojnë shumë kohë bashkë, Bjordi thotë se edhe një raport i tillë mund të jetë i shëndetshëm (edhe pse një pjesë e mirë e parave shkojnë për biletat e avionit): “Jam shumë rehat, e kam ndarë këtë pjesë. Ajo është një vajzë që më bën të ndiehem rehat – kjo është ajo që ndiej tani shkruan Class.

Nuk kam shumë qejf të flas, është një gjë e imja dhe preferoj ta mbaj për vete, por çfarë mund të them është që kam gjetur një person që më bën të ndihem shumë mirë. Është jashtë showbiz-it, është një vajzë shumë e mirë….” – thotë Bjordi për të dashurën.

I pyetur nëse ka plane për më tutje, ai nuk ka akoma siguri për këtë pjesë, duket se ka mbetur fëmijë dhe këtë nuk nguron ta pranojë edhe vetë: “Nëse do vijë koha, është e mirëpritur. Nuk bëj plane, nuk e di ç’do bëj javën që do vijë, jo më të imagjinoj kur do martohem. Do ta bëj me qejf, kur të jem gati, kur të jemi gati.

Është diçka që nuk e planifikoj dot. Jam akoma fëmijë në këtë pjesë, nuk marr përgjegjësi të tilla…” – thotë ai me të qeshur. Por pranon se nëse do t’i vinte një propozim, do të pranonte… Propozim? Ah, po bën shaka!