Prania e pazakontë e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është vënë re këtë të shtunë fillimisht në qytetin e Elbasanit dhe më pas në atë të Librazhdit.
Kjo prani do jetë prezente çdo ditë deri më 11 maj 2025 në kuadër të një operacioni të gjerë monitorimi dhe verifikimi të të gjitha zhvillimeve që lidhen me fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Fillimisht agjentët dhe prokurorët kanë zhvilluar një takim pune në Elbasan me Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Drejtues Fatmir Hoxha, dhe z.Kreshnik Ajazi, Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Pas takimit zyrtar mes tyre të gjithë në grup janë parë në një nga kafenetë më të njohura të qytetit, një lëvizje kjo që ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve për shkak të karakterit të pazakontë të pranisë së tyre të përbashkët në publik.
Pas Elbasanit, grupi në fjalë është zhvendosur në qytetin e Librazhdit ku gjithashtu janë parë në qendër të qytetit në një tjetër lokal të ekspozuar për publikun. Aty është zhvilluar një tjetër takim me shefin e komisariatit, Kryekomisar Elton Halili dhe shefin e rendit Gramoz Dafku, për të diskutuar mbi situatën aktuale të fushatës dhe veçanërisht për një rast të raportuar së fundmi në disa portale, ku aludohej për dhunë fizike barbare ndaj një qytetari.
Verifikimet paraprake tregojnë se lajmi ka qenë i rremë, një trillim pa asnjë bazë faktike, dhe tashmë po punohet për të identifikuar personat përgjegjës për përhapjen e këtij informacioni të rremë që synon destabilizimin e klimës elektorale.
Sipas burimeve zyrtare, kjo prani e shtuar e strukturave të drejtësisë dhe organeve ligjzbatuese në Elbasan dhe Librazhd nuk është e rastësishme. BKH dhe SPAK, në bashkëpunim me Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH), OSBE-në dhe Agjencinë e Inteligjencës Financiare, janë të vendosur në punën e tyre që të garantojnë një proces zgjedhor të pastër dhe të pandikuar nga faktorë kriminalë apo politikë.
Këto institucione janë në gatishmëri të plotë për të monitoruar çdo shkelje të ligjit zgjedhor, që nga përdorimi i burimeve publike për qëllime elektorale, abuzimi me administratën, ndikimi i krimit të organizuar, qarkullimi i parave të pista, e deri te blerja e votave. Burime nga SPAK bëjnë me dije se çdo kandidat që kapet në shkelje të ligjit rrezikon të humbasë mandatin dhe të përballet me ndjekje penale.