Emri i saj është bërë shumë i njohur nga filmi i famshëm hollivudian, por sot në Durrës nuk ka mbërritur anija e kapitenit Jack Sparrow.

“Black Pearl”, jahti me vela më i madh dhe një ndër më ekologjikët në botë, është ankoruar në një nga kalatat e portit të Durrësit.

Jahti luksoz ishte nisur nga Xhenova, ndërsa po sot ai do të udhëtojë drejt destinacionit të radhës, portit të Dubrovnikut.

Veliera tre direkëshe është prodhuar në vitin 2018 në kantieret e Holandës dhe ka tërhequr vëmendjen globale shumë kohë përpara udhëtimit të saj të parë falë dizajnit të saj revolucionar, eko-kredencialeve dhe përparimeve teknologjike. Ajo mund të mbajë në bordin e saj 14 të ftuar, që mund të akomodohen në 5 suitat luksoze.

Ky superjaht është 106.7 metra i gjatë dhe ka tre direkë DynaRig, që mbështesin një sipërfaqe lundrimi prej 2,900 metrash katrorë.

Mjeti lundrues i cili shkon përtej konvecionales përbëhet nga një superstrukturë alumini ndërkohë që direkët përbëhen nga fibrat e karbonit të cilat gjenerojnë energji kinetike në funksion të lundrimit.

“Black Pearl” është në pronësi të familjes së miliarderit rus Oleg Burlakov, ndërkohë që gjatë sezonit turistik lëshohet me qira për personazhet e famshëm.

M.B.