16 maj 2014 – Sepp Blatter i ka shokuar të gjithë duke pranuar me fjalët që dolën nga goja e tij se zgjedhja e kandidaturës së Katarit për Botërorin e vitit 2022 ishte një gabim. Në një intervistë për televizionin zvicerian RTS, presidenti i FIFA-s pohoi se i nxehti ekstrem gjatë verës, me të cilin duhet të përballen futbollistët, e bënte të papërshtatshëm shtetin e Gjirit Persik për të pritur e organizuar Kupën e Botës.
“Sigurisht që ishte një gabim, por siç e dini, ne të gjithë bëjmë shumë gabime në jetë. Nga studimet paraprake ishte e qartë se temperaturat në verë do të ishin shumë të larta. Kjo u bë e ditur nëpërmjet një raporti teknik, por pavarësisht të dhënave, komiteti ekzekutiv vendosi me shumicë të konsiderueshme që ky turne të zhvillohet në Katar”,- tha Blatter.
Gjithsesi zviceriani nuk pranon të marrë përsipër asnjë pjesë të fajit apo të thotë se ndoshta axhenda mund të ndryshojë dhe Botërori 2022 të zhvillohet në një apo disa vende të tjera. Blatter drejtoi gishtin nga Franca e Gjermania duke i bërë përgjegjëse për votimin e Katarit, pasi sipas tij ushtruan presion ndaj komitetit ekzekutiv, por në mënyrë të prerë mohoi zërat se zgjedhja e kësaj kandidature mund të jetë blerë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





