Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka thënë se ndëshkimi me rrëzim në një rang më të ulët të garave do të ishte adekuat për skuadrat, tifozët e të cilave, shpallen fajtorë për racizëm.
"Mbetet tash te ne që të marrim hapa adekuatë", ka thënë Blatter për faqen zyrtare të FIFA-s. "Ajo që ndiej se duhet të bëjmë është t'u japim instruksione federatave tona nacionale dhe konfederatave, veçanërisht komiteteve disiplinore që të jenë shumë të fuqishme. Nuk mjafton të jepet vetëm një gjobë. Luajtja e një ndeshjeje pa shikues është një ndëshkim i mundshëm, por dënimi më i mirë do të ishte marrja e pikëve apo edhe largimi i skuadrës nga liga, pasi fundi i fundit, skuadra është fajtore për tifozët e saj".
FIFA së fundi ka urdhëruar Bullgarinë e Hungarinë që të luajnë ndeshjet e ardhshme eliminatore të Botërorit 2014 pa tifozë për shkak të fyerjeve raciste dhe sjelljeve antisemitike të tifozëve të tyre. Të dyja kanë apeluar ndaj vendimit të marrë. Mirëpo, FIFA ka paralajmëruar se në të ardhmen mund të aplikohen masa edhe më të rrepta, përfshirë marrjen e pikëve dhe diskualifikimin, në rast të përsëritjes së problemit.
Rasti i racizmit u aktualizua së fundi kur javë më parë mesfushori i Milanit, Kevin Prince Boateng, lëshoi fushën dhe rrugën e tij e ndoqën edhe bashkëlojtarët, pasi ai u fye në baza raciste gjatë ndeshjes miqësore me Pro Patrian.
"Është një fenomen ku futbolli është viktimë e shoqërisë. Diskriminimi dhe racizmi janë kudo në shoqëri. Ne në futboll nuk bën të na bëjnë përgjegjës për atë që ndodh në shoqëri. Por askund në botë nuk mund të zgjidhësh një problem duke ikur. Unë pajtohem me përkrahjen për veprimin e Boatengut, pasi ishte një paralajmërim i fortë. Por, nuk zgjidhen gjërat me ikje", ka shtuar Blatter.