27 nëntor 2015 – Teuta është duke vijuar përgatitjet në kuadër të ndeshjes që do të kenë me Tërbunin këtë fundjavë, një kundërshtar i cili duhet vlerësuar pasi pukjanët janë të uritur për pikë. Në fazën e parë ekipi i Teutës doli fitues me rezultatin 3-1 me gola të Lamcja, Magani dhe të riut Gripshi, ndërsa për pukjanët golin e nderit e shënoi Dhrami. “Djemtë e detit” shpresojnë që të ndodhë e njëjta gjë edhe në ndeshjen e radhës, edhe pse të dyja skuadrat vijnë me objektiva të kundërta.
Bledar Hodo shprehet: “Grupi ynë është i plotë, jemi më pak të ngarkuar psikologjikisht në krahasim me ndeshjen ndaj Kukësit pasi luanim në fushën tonë, dhe gjithçka ndaj Tërbunit shpresoj do të flasë për ne. Kjo nuk do të thotë se do ta marrim lehtë lojën, përkundrazi po përgatitemi me seriozitet pa bërë llogari se me kë do luajmë apo të bëjmë krahasime me forcën e kundërshtarit, për ne e rëndësishme të kemi ecuri pozitive si skuadër dhe nuk shohim nëse kundërshtari ka fituar apo jo, nuk shikojmë sa pikë ka marrë dhe sa ka lënë apo dhe të merremi me atë çfarë thuhet në gazeta, për ne rëndësi ka përgatitja dhe ajo çka bëjmë ne në ndeshjet që luajmë. Nuk bëjmë deklarata rreth objektiva pasi ka shumë ndeshje për t’u luajtur dhe kjo na pengon dhe na detyron të luajmë e të grumbullojmë sa më shumë pikë e më pas të shikojmë çdo të arrijmë. Shpresoj që në ndeshjen e radhës ndaj Tërbunit të marrim tre pikë dhe pse jo të shënoj gol do të ishte kënaqësi ti shënoja dhe në fushën e vet ekipit pukjan. Por më e rëndësishme është ecuria dhe marrja e tre pikëve, golin ta shënojë dhe mbrojtja mjafton të fitojmë dhe të bindim në lojë. Ndeshja erdhi por dhe ne po përgatitemi si duhet”, ka përfunduar Hodo.
/portali DurresLajm/