DURRËS, 28 TETOR 2014– Skuadra e lëvizshme e policisë së Katanias arrestoi dy shqiptarë për trafik kokaine. Të arrestuarit janë: Fatmir Avdiaj, 24 vjeç lindur në Tropojë dhe banues në Katania të Sicilisë dhe Bledar Kasmi, 22 vjeç lindur në Manzë, Rrethi i Durrësit dhe banues po në Katania. Dy të arrestuarit bashkë me K. H. hallën 83 vjeçare të Fatmir Avdisë po udhëtonin me një makinë Ford Fiesta drejt Katanias, kur u bllokuan nga policia, e cila kishte marrë informacione në rrugë operative për një transport kokainë me këtë veturë. Nga kontrolli i veturës dhe i dy djemve në trup nuk u gjet drogë. Pasi u dërguan në postën e policisë, kontrollit fizik ju nënshtrua edhe e moshuara, e cila kishte veshur një xhubletë, veshje karakteristike e zonës nga kishte origjinën. Poshtë palave të xhubletës të lidhura fort me spango u gjetën tre pako me kokainë puro me peshë rreth 2 Kg. Vlera me cmim shumice e kokainës shkon në 70 000 euro, ndërsa me cmim pakice në 200 000 euro.
Dy të rinjtë u dërguan në Burgun Piazza Lanza të Katanies, ndërsa halla për arsye të moshës së shtyrë po ndiqet penalisht në gjendje të lirë.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





