Teuta ka emëruar si trajner Bledi Shkëmbin, i cili do të hedhë sytë edhe nga Kosova, ku drejtoi sezonin e shkuar Lirinë e Prizrenit. Për të nisur përgatitjet duhet pritur, pasi durrsakët nuk do të marrin pjesë në Kupat e Evropës, ndërkohë që presidenti Edmond Hasanbelliu duhet të nisë të bëjë “dhuratat” e para për stafin teknik.
Gjetja e një sulmuesi është me rëndësi, pasi vjet nuk e kishin një goleador. Fakti që shënuan shumë edhe pas një sulmues qendror nuk bën që ta lënë pas dore këtë aspekt.Por edhe në repartet e tjetra do të ketë lëvizje.
Së fundmi në skenë ka dalë një emër për mesfushën dhe ai është futbollisti Florent Avdyli. Lajmi vjen “Gazetashehi”, që e liston mesfushorin në objektivat e Shkëmbit për ta marrë në ekipin e tij të ri. 24-vjeçari ka bërë një sezon të mirë me bardhezinjtë në Vala Superliga e Kosovës, ndërkohë që trajneri korçar ka qenë edhe një nga ata që e ka mbështetur shumë, duke e fituar si lojtar.
Tashmë për Avdylin mund të ketë një eksperiencë të re në Superiore.Nga Teuta janë larguar deri më tani katër lojtarë, tre prej të cilëve u afruan në merkaton e janarit. Mustafov, Bilali dhe Alhasan kanë mbyllur aventurën e tyre me durrsakët, ndërkohë që largim me peshë është ai i Ardit Hilës. Mesfushorit i ka përfunduar kontrata 3-vjeçare dhe tashmë është lojtar i lirë. Çyrbja është në ajër. Ka edhe një afrim, ai i Edison Ndrecës nga Besëlidhja. Lojtari i linjës së majtë ka luajtur më parë në Superiore me Laçin.





