Etapë e re në karrierën e Bledi Shkëmbit. Pas aventura në Superligën shqiptare dhe atë të Kosovës, 44-vjeçari ka marrë drejtimin e kombëtares kuqezi U-19. I emocionuar për këtë detyrë u shfaq tekniku Shkëmbi, i cili në eksperiencën si futbollist numëron 14 ndeshje me kombëtaren e madhe. Shkëmbi tha që të drejtojë ekipin Kombëtar është një ëndërr e bërë realitet.

“Të drejtosh një kombëtare është një kënaqësi, një ëndërr. Edhe ne trajnerët kemi ëndërr të stërvisim ekipin kombëtar pavarësisht moshës që është.”

Shkëmbi vlerësoi ndryshimin e madh që ka pësuar FSHF dhe futbolli shqiptar, veçanërisht në infrastrukturë duke krahasur kohën kur ai ka përfaqësuar ekipin Kombëtar si futbollist.

“Po e shikoj dhe ndjej kënaqësi që jam në të njëjtën anije me këtë grup të madh e të suksesshëm dhe shpresoj shumë që futbolli i moshave të hedhë hapat e Kombëtares së madhe.”

Kombëtarja shqiptare e 19-vjeçarëve nuk fiton prej 6 takimesh, ku ka regjistruar dy barazime dhe 4 humbje radhazi.