Nga Blendi Fevziu

A do ta ftojë Edi Rama Lulzim Bashën dhe PD-në në një koalicion të gjerë? Në koalicionin aq të përfolur para zgjedhjeve dhe që synon stabilizimin e disa reformave madhore për integrimin e vendit? Në një koalicion të ngjashëm me atë të Gjermanisë dhe disa vendeve të tjera të zhvilluara, që kanë gjetur stabilitetin edhe te formula qeverisëse e vendit. Me gjasë, Po. Dhe padyshim me disa synime të qarta:

E para, për të konsoliduar qeverisjen e tij me një numër votash mbështetëse në Parlament që i japin komoditetin e arritjes së çdo objektivi, qofshin ato me 2/3.

E dyta, për të reduktuar ndjeshëm rolin e LSI-së, e cila në një koalicion të PD-së me PS-në, do reduktohet shumë në shifrat e oponencës në parlament, pra në fuqinë opozitare.

E treta, dhe më kryesorja, me objektivin për të reduktuar akoma më shumë PD-në dhe për ta bërë atë, një parti që nuk do të ketë më asnjë aftësi konkurruese për të qenë forcë e parë. Në një formulë të ngjashme me atë që Hashim Thaçi zbatoi me LDK-në në Kosovë, duke e çuar atë në zgjedhje forcë të tretë.

Por edhe nëse ftesa e Ramës bëhet publike, pra nëse ajo niset në adresë të PD-së, një koalicion me bazë të gjerë, është jo funksional në Shqipëri, madje i dëmshëm. Ka disa arsye edhe për këtë.

E para, koalicioni nuk është i vërtetë, por artificial. PS i ka e vetme votat për të qeverisur vendin. Veç votave të saj, ajo mund të numërojë votat e PDIU-së dhe të PSD-së që edhe në fushatë janë deklaruar në krah të fituesit të zgjedhjeve. Me këto vota ajo siguron një mazhorancë të qëndrueshme. Pjesëmarrjen në koalicion PD, nuk e justifikon dot me stabilitetin e vendit, sepse PS i ka vetë votat për të drejtuar në mënyrë stabël.

E dyta, një koalicion i gjerë e lë vendin praktikisht me një opozitë shumë të dobët. Ajo do reduktohet te mandatet e LSI-së, që po ashtu, ka njeriun më të rëndësishëm të saj në postin e Presidentit. Pra është një opozitë me handikap. Në këtë moment, edhe cilësia e grupit parlamentar të PD-së është shumë e dyshimtë. Nëse vendi ka nevojë për diçka urgjente, madje më urgjentja për momentin, është ndërtimi i një opozite të fortë, të vërtetë dhe të besueshme. Ringritja e opozitës, është misioni më i rëndësishëm i PD-së dhe LSI-së. Vetëm një opozitë e vërtetë dhe serioze, mund të shmangë abuzimin që mund të vijë nga grumbullimi i një pushteti të madh në duart e Ramës. Nuk duhet harruar se kjo është hera e parë që nga 2001-shi që një forcë politike i fiton e vetme, pa aleatët, mbi 70 mandate. Përballja me këtë mazhorancë është detyrë e PD-së.

E treta, Basha është i detyruar të lexojë votën në favor të tij. Vota që ai mori nuk ishte për një koalicion me PS-në. Përkundrazi, bojkoti që votuesit e djathtë i bënë ishte pikërisht për arsye të flirtimit me PS-në dhe idesë së një marrëveshjeje pas zgjedhjeve.

E fundit, nuk duhet harruar se e majta dhe e djathta në Shqipëri, ndryshe nga Gjermania apo Kosova, janë ndarë dhe konsoliduar kryesisht për arsye historike. Dallimi mes tyre ka nisur në gusht 1943, kur u prish marrëveshja e Mukjes dhe vota pro apo kundër, është në shumë raste derivat i asaj ndarjeje. Edhe pse PD ka veç pjesës konservative edhe një pjesë liberale, ajo konservative duket qartë që dominon. Një koalicion me PS-në, do çonte drejt çarjes së PD-së e mbase edhe ndarjes së saj.

Dhe e fundit, bashkëngjitja në një koalicion jo shifrash, por lëmoshe nga sfidanti i saj, do ta bënte PD-në sot e përjetë një forcë që nuk konkuron më për të marrë drejtimin e vendit dhe as për të zbatuar programin e saj. Kjo është e rëndë për një forcë që në 26 vjet e ka drejtuar vendin për afro 13 vite.