TIRANË- "Për armët" emërtohet ligji i ri që qeveria ka sjellë në parlament dhe që synon të rregullojë kushtet për blerjen, mbajtjen, prodhimin, tregtimin, shitjen, transportimin e importimin e armëve dhe municioneve brenda territorit shqiptar, si dhe eksportimin e tyre jashtë vendit. 

Drafti me 37 nene, që synon përafrimin me direktivën e BE-së, "Për kontrollin e blerjeve dhe posedimit të armëve", përfshin një fushë të gjerë veprimi, ndërkohë që dispozitat e tij nuk zbatohen për armët e Forcave të Armatosura Shqiptare. 

Ligji detajon tipet e 'armëve të zjarrit', që nga 'arma e shkurtër', 'armë e gjatë', 'armë automatike', gjysmautomatike e deri tek specifikimi i armëve të zjarrit 'për gjueti', armëve sportive, dekorative etj. 

Nene të veçantë të ligjit kategorizojnë me hollësi tipet e armëve, ndërsa japin detaje mbi pronësinë dhe veprimet juridike të lidhura me to, duke nisur nga prodhimi, riparimi, etj, e deri te tjetërsimi i armës nga përdoruesi i fundit ose transferimi i të drejtave të tjera. 

Në rastin e çdo veprimi të tillë juridik, organi kompetent i Policisë së Shtetit lëshon autorizim të veçantë në favor të personit fizik ose juridik. Sa i takon futjes ose nxjerrjes nga vendi të armëve të gjuetisë e atyre sportive, Policia e Shtetit miraton autorizim të veçantë për nevojat e personit, në kuadër të pjesëmarrjes në veprimtari të ndryshme. 

Një nen i veçantë i ligjit parashikon kushtet për licencimin e subjekteve që kërkojnë të administrojnë një poligon civil qitje, të luajtshëm ose të paluajtshëm, për qëllime rekreative, sportive ose të praktikës me shënjestër. 

Një kapitull i veçantë i ligjit lidhet me personat që kanë të drejtë të pajisen me autorizim për mbajtje arme zjarri nga organi kompetent i Policisë së Shtetit, ku përfshihen deputetët, anëtarët e Këshillit të Ministrave, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, zv/ministra, prefektë, kryetarë të qeverisjes vendore, gjyqtarë, etj,

Neni 20 i njeh të drejtën e mbajtjes së armës dhe autoriteteve të huaja sipas marrëveshjeve ndërkombëtare dhe parimit të reciprocitetit, ku bëjnë pjesë diplomatët e huaj, nëpunës të konsullatave, punonjës të misioneve ushtarake në Shqipëri, etj. 

Armët e koleksionit janë një tjetër kategori e ligjit, që saktëson dispozitat ligjore për ruajtjen e tyre, për muzetë publikë e privatë që i ekspozojnë ato, etj. 

Drafti parashikon dhe masa shtrënguese, si pezullimi apo revokimi i licencës në rastet kur shkelen rregullat për mbajtjen e përdorimin e armës; kur personi që e disponon atë paraqet rrezik se mund ta përdorë si mjet për kryerjen e një vepre penale, etj.