Rafinja është një nga lojtarët e fundit që iu bashkua Barcelonës në merkaton e verës. Për afrimin e tij nga Lidsit, klubit spanjoll iu desh të paguante 60 milionë euro (48+12).Me të mbërritur në “Camp Nou” ai është bërë protagonist me Barcelonën. Ndërkohë, që ai ka bërë një rrëfim të veçantë për rrjetin mediatik “UOL Esporte” në Brazil.Ai ka treguar për fëmijërinë e tij, një histori si e shumë fëmijëve brazilianë, të cilët nuk kanë pasur një jetë të thjeshtë, që janë rritur nëpër lagje problematike, ku nuk është e lehtë t’u shmangesh veseve e ngatërresave. Në intervistën e tij për “UOL Esporte”, ai flet për vështirësitë e jetës së tij.
“Në fakt do të ishte e padrejtë të thuash se kam qenë i uritur në jetën time, prindërve të mi nuk u mungonte kurrë ushqimi në shtëpi. Thënë kjo, shpesh pas stërvitjes, ndaloja në rrugë dhe u kërkoja njerëzve të më blinin diçka për të ngrënë.Kishte nga ata që më ndihmonin, të tjerë më thoshin rrugaç, vagabond. Nuk kishte asgjë për të bërë, e vetmja gjë që bëja ishte të prisja që të vinte autobusi që të më çonte në shtëpi ku mund të ushqehesha. Asokohe kujtoj se isha 12-14 vjeç”, ka rrëfyer braziliani.Në këtë kuptim, Rafinja tregon se: “Fillimet e mia janë të vështira, por doja të përmbushja ëndrrën time. Më duhej të shkoja të stërvitesha në një vend larg shtëpisë. Isha 8-9 orë larg nga shtëpia. Mezi më mjaftonin paratë për autobusin, nuk fusja gjë në gojë për 8-9 orë”.
Përtej këtij episodi, sulmuesi nga Porto Alegre detajon gjithashtu se si ishte jeta e tij në Restinga, një lagje në pjesën jugore të kryeqytetit të Rio Grande do Sul.“U rrita në një komunitet ku krimi dhe trafiku i drogës ishin përditshmëri e zakonshme, por isha i fortë për të mbajtur fokus intim: të bëhesha futbollist. Nëse sot flasin për ‘magjinë’ time në futboll, them… kjo është magjia e vërtetë, që iu shmanga rrugës dhe veseve”.Sulmuesi i krahuti Barçës e pranon se nuk ishte e lehtë të shmangie komunitetin ku jetonte.“Gjatë adoleshencës sime, në lagjen time,kishte shumë mundësi të tjera për të siguruar një pasuri të shpejtë. Shumë nga shokët e mi të fëmijërisë humbën në botën e krimit dhe të trafikimit të drogës…Ishin shokë të talentuar, më të mirë se unë në futboll, por që iu futën një biznesi tjetër”, ka rrëfyer Rafinja.





