Radhë për në supermarket, furra buke, pika shitjeje të fruta-perimeve; shëtitje në shëtitoren e Vollgës e njerëz të shumtë në rrugë për të bërë blerjet e fundit apo për ecjen e fundit për këtë fundjavë…. Kështu paraqitet situata sot paradite në qytetin e Durrësit.
Nga filmimet që përcjell “DurrësLajm”, vihet re se banorët e Durrësit nuk janë dhe aq korrektë në respektimin e distancës nga njëri-tjetri në një pikë tregtimi të fruta-perimeve në lagjen nr.1. Aty shihen shumë afër me njëri-tjetrin duke blerë zarzavate apo fruta.
Ndërkohë, në rrugë e pranë disa pikave ushqimore vihen re prani të forcave policore dhe të ushtrisë, për të garantuar respektimin e radhës dhe të distancës së blerësve.
Qyetarët kanë zënë radhë për të marrë bukë te furrat në afërsi të banesave të tyre, për t’u furnizuar kështu edhe për ditën e diel, pasi një ditë më parë, Shoqata e Bukës mori vendimin për mbylljen e furrave të bukës sot në orën 13:00 dhe hapjen e tyre të hënën në mëngjes në orën 05:00.
Ndërkohë, edhe Policia Bashkiake me megafon vazhdon t’iu bëjë thirrje banorëve të Durrësit për të respektuar masat e ndërmarra nga qeveria dhe duke i rikujtuar oraret kufizuese, ndërsa njoftojnë se nga sot në rrugë do të jenë vetëm forcat e policisë dhe ushtrisë dhe përfaqësues të kompanive mediatike.
Kujtojmë që kryeministri Rama ka paralajmëruar izolim të total të njerëzve dhe mbylljen e gjithçkaje, duke filluar nga ora 13:00 e ditës së sotme, deri të hënën në orën 05:00.





