Ministria e Financave reagon për vendosjen e kufirit të pataksueshëm për blerjet online, duke nënvizuar se Shqipëria përafron standardin e BE dhe rajonit dhe po vendos procedura doganore më të thjeshtuara për qytetarët.

Me miratimin e VKM Nr. 542, datë 27.7.2016 “Për një ndryshim në Vendimin Nr.919, Datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për Miratimin e Dispozitave Zbatuese të Ligjit Nr.102/2014, Datë 31.7.2014, “Kodi Doganor i Republikës Së Shqipërisë”, u ndryshua kufiri i pataksueshëm në doganë për dërgesat e mallrave me karakter jotregtar, të cilat kanë një vlerë të papërfillshme të përcaktuar në vendim, përkatësisht për blerjet online nga interneti në masën 22 Euro dhe për dërgesat nga një individ jashtë Shqipërisë pranë një individi në territorin shqiptar në masën 45 Euro.

VKM ka hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare në datën 3 Gusht 2016 dhe nuk ka fuqi prapavepruese, saktëson Ministria e Financave.

“Ndryshimi është bërë në përputhje dhe në përshtatje me rregullat e BE dhe konkretisht të Direktivës 2009/132/EC dhe Direktivës 2006/79/EC, në respektim të rregullave të konkurrueshmërisë në tregun rajonal, europian por edhe në tregun e brendshëm”.

Në zbatim të parimeve bazë të aplikimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ky tatim është një tatim mbi konsumin që si i tillë, aplikohet mbi çdo mall që importohet në territorin e Shqipërisë.

Në zbatim të këtij parimi si dhe për të evituar informalitetin në rastet kur dërgesat e tilla përdoren edhe për qëllime tregtare, të gjitha vendet e BE dhe rajonit kanë standardizuar rregullin duke rishikuar kufirin në jo më shumë se 22 euro.

Në tabelën më poshtë renditen të gjitha vendet anëtare të BE dhe kufiri përkatës (në rastet e vendeve me monedha të ndryshme, i ekuivalentuar në euro) ku shihet shumë qartë se edhe vendi ynë e ka harmonizuar këtë kufi me të gjithë vendet e tjera të BE dhe të rajonit.

Tab.1. Kufiri për përjashtimin nga TVSH për mallrat e importuara – vendet e BE

Shteti Kufiri i pataksueshem (ekuivalent me monedhen vendase)

Austria 22 euro

Belgjika 22 euro

Bullgaria ~15.34 euro

Kroacia ~ 20.85 euro

Qipro 17 euro

Republike Ceke 22 euro

Danimarka ~10.75 euro

Estonia 22 euro

Finlanda 22 euro

Franca 22 euro

Gjermania 22 euro

Greqia 22 euro

Hungaria ~18.82 euro

Irlanda 22 euro

Italia 22 euro

Letonia 22 euro

Lituania ~21.72 euro

Luksemburgu 22 euro

Malta 22 euro

Hollanda 22 euro

Polonia 22 euro

Portugalia 22 euro

Rumania 10 euro

Spanja 22 euro

Sllovakia 22 euro

Sllovenia 22 euro

Suedi 22 euro

Mbreteria e

Bashkuar ~19.23 euro

Rajoni

Kosova 22 euro

Maqedonia 22 euro

“Në sqarim të qytetarëve lidhur me procedurën që do të ndiqet në vijim, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në bashkëpunim dhe koordinim me Postën Shqiptare po zbardhin procedurat me qëllim thjeshtësimin e tyre në favor të qytetarëve. Kështu, Posta shqiptare do t’u mundësojë qytetarëve plotësimin e deklaratës doganore elektronikisht dhe arkëtimin e detyrimit doganor. Qytetarët mund ta kryejnë procedurën e zhdoganimit, pagesën dhe tërheqjen e objekteve postare pranë zyrave postare në qytetet ku ata banojnë” thekson njoftimi i Ministrisë së Financave.