TIRANË, 18 qershor 2013– Nxënës nga i gjithë vendi konkurojnë te “Bleta gërmëzuese”, një konkurs mjaft i njohur ky në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që organizohet për të katërtin vit rresht edhe në Shqipëri.

Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi se më 14 qershor, 90 nxënës nga e gjithë Shqipëria u mblodhën në Kopshtin e Trëndafilave të Ambasadës Amerikane në Tiranë, për të konkuruar në të katërtin edicion të konkursit vjetor Bleta Gërmëzuese.

 “Pas një raundi kualifikues në Këndin Amerikan në Tiranë, nxënësit u ftuan në Ambasadë për finalen e madhe, përpara një jurie amerikane me 3 pjestarë. Juria përbëhej nga Asistenti i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun Brian Street, si dhe dy Vullnetarët e Paqes Marty Feess dhe Steve Cederquist, të cilët punojnë me nxënës të Anglishtes në zona të ndryshme të Shqipërisë. Konkursi zgjati më shumë se 3 orë, pasi nxënësit ishin tepër të përgatitur dhe gërmëzonin shumë mirë, duke e detyruar jurinë që të përfundonin fjalët që kishin përgatitur dhe të kërkonin fjalë të reja nga fjalorët. Pas një gare energjike, fitues i çmimit të parë u shpall Skerdi Laska. Çmimi i dytë shkoi për Algers Vatën dhe i treti për Nikol Zaçen. Ambasadori Alexander A. Arvizu gjithashtu u takua me nxënësit, i uroi ata të gjithë si dhe u tregoi historinë e fitoreve dhe humbjeve në Bletën Gërmëzuese, kur ai ishte në moshën e tyre. Ai nënvizoi rëndësinë e të studiuarit shumë dhe e të bërit të maksimumit për të arritur suksesin. Më pas, Ambasadori i dorëzoi fituesve një iPad Mini, një Samsung Galaxy Tablet dhe një Samsung Galaxy Mini, dhe mbylli aktivitetin me një foto grupi me të gjithë nxënësit.”

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/