Durrës, 26 maj 2014 Në qytetin e Durrësit janë më shumë se 20 bletërritës që kanë nga 150 deri në 200 koshere bletësh moderne, ndërsa qindra të tjerë profesionistë e amatorë i mbajnë bletët në afërsi të shtëpive të tyre, por në sasi më të pakta. Arjan Qyteza, ndër bletërritësit më në zë në qytetin e Durrësit, i lindur dhe i rritur në kampet e internimit gjatë regjimit të kaluar, pohon se mesatarisht një “fermë” me bletë afron deri në 2.500 kg mjaltë si dhe disa qindra gram qumësht blete. Mjalti ka vlera të pazëvendësueshme kurative dhe ushqyese duke mbetur ndër këshillat parësore të afruara nga mjeksia për të gjithë pacientët me probleme që nga reumatizma deri tek komplikacionet në zemër e veshka.

 

Arjan, njiheni në shoqëri si njohës shumë i mirë i bletëve dhe rritës i tyre. Si paraqitet situata e bletërritësve në Durrës?

Në prefekturën e Durrësit kam vërejtur se është rritur shumë numri i të interesuarve për bletën. Unë kam më shumë se 35 vite që merrem me rritjen e bletës. Për shkaqe të ndryshme dhe rrethana të kohës së shkuar jam detyruar të jetoj në shumë vende, fshatra e qytete. Kur erdha në Durrës pashë interesim tek shumë si unë për bletën. Sot mund të numëroj pa më të voglin merak se jemi mbi 20 bletërritës që kemi më shumë se 150 koshere secili. Bleta është si njeriu. Madje edhe në literaturë thuhet se bleta vdes, pra për jetën e saj ka shumë rëndësi higjena, pastërtia e ajrit, klima, gjelbërimi etj. Nuk e teproj po të them se me shumë qytetarë si dhe me mjekët më ka njohur profesioni i bletërritësit. Bleta është për mua jeta, familja, ekonomia. Me të kam mbajtur gjallë babanë tim në burg, nënën në kamp internimi dhe qindra të tjerë të sëmurë e të burgosur.

 

Keni nisur të merreni me bletën shumë herët. Si nisi kjo dashuri, nëse mund ta quajmë si të tillë?

Kur unë u martova ishte koha që më duhej të vizitoja çdo ditë bletët. Në shtëpi shkoja vonë, por ndodhte edhe që flija tek të afërmit, atje ku ishin bletët. Atë kohë kisha vetëm 5-6 muaj martesë dhe një ditë teksa në shtëpinë tonë bisedohej për marrëdhëniet e mia me nusen e re të shtëpisë, gruaja u thotë vizitorëve “Po ky Arjani nuk është dashuruar me mua, por me bletët”. Pra në një farë mënyrë është e vërtetë, unë jam shumë i lidhur me bletët. Jam lindur në kampin e internimit në Gradisht të Lushnjes, pasi gjyshin ma patën pushkatuar kurse babai vuante dënimin me 100 vite burg. Mjalti më ka shpëtuar familjen nga varfëria dhe uria. Dërgoja edhe në burg mjaltë për babanë tim Skënder Qyteza, të burgosurit e tjerë, por edhe për komandën e burgut, rojet e policët. Bletën e parë primitive në shtëpi e kemi futur në vitin 1970. E kishin sjellë nga Korça. Në kampin e internimit në Elbasan unë isha 12 vjeç kur nisa të kujdesem për to. I shtuam një nga një dhe na u bënë disa. Sot kam 150 koshere të gjitha moderne. Me kalimin e viteve kuptova se nuk mund të rroj pa bletët edhe pse tani nuk kam ato probleme ekonomike si dikur. Im atë sa qe gjallë trashëgoi emrin tek im bir, të cilit i kam ushqyer dashurinë për bletën në moshë 3-vjeçare. Atë sot nuk e pickojnë bletët dhe ai i zë me dorë ato, ndërsa kujdeset shumë. E marr me vete sa herë vizitoj bletët.

 

Për shkak të kullotës dhe temperaturave bletët kanë nevojë të shtegtojnë si dhe kërkojnë shumë kujdes në ruajtjen nga helmet…

Nga nuk kam shëtitur me bletët. Sipas stinëve i kam dërguar në Korçë, Ersekë, Peshkopi, Sarandë, Prespë, bregdetin e Shëngjinit, Burrel e në shumë vende të tjera. Dimrin e sivjetëm 100 bletë i lashë në fshatin Draç, në bregdet në veri të Durrësit, kurse 50 të tjera në fshatin Karicë të Matit. Bleta duhet vizituar një herë në dy muaj në sezonin e dimrit, kurse nga 15 marsi deri në 15 nëntor kërkon të shikohet në çdo javë. Kam krijuar lidhje në të gjithë Shqipërinë dhe kjo më ka lehtësuar gjetjen e strehës për bletën në dimër apo në pranverë e verë. Si shpërblim ose u lë mjaltë, ose u fal bletë. Një bletë dykatëshe në treg kushton jo më pak se 15 mijë lekë, por unë nuk kam shitur kurrë bletë. Kam falur me dhjetra koshere në këmbim të përkujdesjes së treguar për mua. Kam edhe kujtime jo të mira në rrugëtimet për t’i transferuar.

 

Thoni se jeni ndeshur në vështirësi. Për çfarë e keni fjalën?

Bletët në verë transferohen natën për shkak se temperaturat janë disi më të ulta se në pikun e vapës. Ka qenë 10-12 qershor 2002. Së bashku me vëllanë dhe dy të afërm ngarkuam në një kamion 90 koshere me bletë për t’i dërguar në Goricë, ndërsa kosheret e tjera i lamë në Malin e Thatë në Korçë. Gjatë rrugës, makina u prish. Po afronte dreka. Bletët kërkonin ujë. Në anë të rrugës ishte një kanal i thellë por pa ujë, kurse përtej kanalit një mushkë e lidhur që kulloste. Mushka e trembur lëvizi. Kaq u desh. Bletët e sulmuan dhe mushka u mbulua e tëra nga bletët që thumbonin. Kafsha nuk mundi të rezistonte më dhe u shtri. Hoqa maskën dhe shkova drejt mushkës për t’i hequr litarin me qëllim që të shpëtonte. Me shumë vështirësi e zgjidha dhe mushka pasi hodhi një shqelm drejtuar nga unë, por që i doli huq shpëtoi. Unë mora së paku 500-600 pickime. Sytë m’u errën dhe u turbullova aq sa u lëkunda në të rrëzuar. Vëllai dhe dy të afërm sapo panë bletët t’i vërsulen mushkës ia dhanë vrapit e dolën në majë të fshatit. Piva më shumë se 1 litër qumësht dhe shpëtova nga pickimet ngase trupi kishte fituar qëndrueshmëri që në moshën 6 vjeç nga pickimet e bletës. Në fëmijëri kam vuajtur nga reumatizma dhe jam shtruar 6 herë. Pasi nisa të përdor mjaltin e qumështin e mjaltit më kaloi reumatizma dhe sot jo vetëm unë por edhe të afërm të mi nuk kanë sëmundje. Babai im, Skënderi, në kohën që e nxorrën nga burgu më thanë se nuk do e shtynte më shumë se pak javë, pasi ishte shumë i lodhur. Ai jetoi edhe 13 vite dhe kjo në sajë të mjaltit dhe të qumështit të bletës.

 

Duhet të keni klientelë të rregullt. Si keni mundur ta tregtoni sasinë e prodhuar?

Një bletë mesatarisht prodhon deri në 15 kg mjaltë. Në një vit unë marr mesatarisht 2300 kg mjaltë dhe deri në 700-800 gr qumësht për çdo bletë. Nuk dal në treg pasi kam klientelë dhe nuk janë vetëm shqiptarë por edhe të huaj. Mjalti e qumështi i bletës kuron çdo sëmundje. Ajo këshillohet për reumatizmin, spoliatrozën, astmën, sëmundjet e mëlçisë, mushkëritë, veshkat, zemrën dhe gjithçka që nga bebet deri tek të moshuarit. Po të kem edhe 7 ton mjaltë e shes aq shumë ka kërkesë. Por duhet mjaltë pa hile siç thotë populli. Unë ndërroj mëmën një herë në dy vjet dhe cilësia e prodhimit është shumë e lartë. Pastaj bletët ushqehen me mare e shqopë në dimër, kurse në verë me lule e pjalmin e pemëve. Mjaltin e shes me 800 lekë për kg, kurse qumështin me 500 lekë për gr. Ka recetë mjekësore mënyra e përdorimit.

 

Flitet se qumështi kuron shumë, por kërkon kujdes në përdorim

Është e vërtetë. Qumështi i bletës kërkon kujdes. Një bletë kërkon në më shumë se 5000 lule dhe merr polenin, pra ruan vlera shumë të rralla kurative. Në rastet e përdorimit të qumështit duhet marrë vetëm një gram në ditë për 40 ditë. Varet se ç’lloj ushqimi merr bleta. Ka mjaltë tërfili, gështenje, duhani, mareje, akacie etj. Mjalti i acacias është shumë kurativ, kurse mjalti i maresë kushton deri në 15 euro për kg. Në Durrës, qytetarët vuajnë shumë nga reumatizma. Bleta është mjeku më i mirë. Bleta prodhon mjaltë, qumësht, dyllë, helm. Një bletë e shëndoshë prodhon deri në 1000 gr qumësht. Por prodhon edhe helm që kuron reumatizmën. Të prekurit nga reumatizma duhet të marrin vetëm një pickim bletë çdo ditë për një kohë. Më tej pason periudha e pushimit 2-3 mujor për të vijuar me 3 thumbime në ditë në disa javë. Mjalti kuron më shumë sesa ilaçet dhe për këtë arsye duhet ta fusim në recetën e ushqimit në shtëpitë tona. Në Durrës, ka bletarë që kujdesen për dhjetëra e dhjetëra koshere. Kështu mund të përmend Bajram Hidrin në Golem, Fatbardh Agolli në Rrashbull e të tjerë në Sukth, Manëz, Ishëm… Unë mendoj se sot është koha e kujdesit të organizuar dhe shkencor. Kjo do të krijojë lehtësi bashkëpunimi, përpunim e transport më të mirë, sigurim të fuqisë blerëse si dhe kontroll cilësor për produktin që shesim ne apo atë që blen qytetari.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/