Klubi i Zenit ka ndërmarrë një nismë shumë të veçantë dhe ka bërë të ditur se nga tani e tutje, do t’u ofrojë tifozëvë mundësinë për t’u vaksinuar para sfidës që luante në kampionat. Drejtuesit e klubit kishin vendosur që çdo tifoz i cili do të ishte i pranishëm në sfidën e sotme ndaj Akhmat Grozni do të mund të vaksinohej falas me vaksinën Sputnik V.

Një ofertë e cila do të jetë në fuqi gjatë të gjithë sezonit dhe që në Rusi shihet si një fushatë sa më e mirë vaksinimi për popullatën me vaksinën e cila ka një efektivitet 91% ndaj virusit të rrezikshëm. “Vaksina Sputnik do të ofrohet për çdo tifoz që do të ndjekë ndeshjen dhe është mbi 18 vjeç. Ju lutemi, merrni me vete pasaportën tuaj dhe kartën e shëndetit që do të kontrollohet nga një mjek për të marrë aprovimin para vaksinimit”, shkruhej në njoftimin e klubit.

Në stadium do të hapet një qendër vaksinimi, e cila do të funksionojë në ditët e ndeshjeve deri në fund të sezonit për të gjithë tifozët që duan të përfitojnë nga kjo ofertë e klubit. Fakti se rreth kësaj vaksine kishte shumë skepticizëm, ka shtyrë shtetin rus që të ndërmarrë nisma nga më të ndryshmet dhe kjo e Zenit duket si një prej tyre. Rusia ka lejuar tifozët në shkallët e stadiumeve deri në 50% të kapacitetit, por shpreson që me vaksinimin masiv të tifozëve, kjo shifër të rritet.