29 dhjetor 2014 – Simboli i shqiponjës vazhdon të shqetësojë sërish mediat zvicerane, që dhe njëherë tjetër kanë kthyer në vëmendje simbolin e shqiptarëve, pasi Granit Xhaka e ka bërë sërish atë në një vizitë që i ka bërë së fundmi skuadrës së Prishtinës në Kosovë. Futbollisti i Borusia Moenchengladbach bashkë me vëllain e tij, Taulantin që luan për kombëtaren shqiptare vizituan ekipin bardheblu dhe gjatë stërvitjes me të gjithë ekipin por dhe trajnerin bënë simbolin e shqiponjës dy krenare duke ndezur sërish irritmin e të përditshmes "Blick", e cila rikthen në vëmendje rregullin e vendosur në kombëtaren zvicerane se simboli i shqiponjës është i ndaluar.
Sipas "Blick", Xhaka nuk është hera e parë që e kryen një veprim të tillë duke kujtuar se ai e ka bërë simbolin e shqiponjës dhe në Bundesligë pas festimit të një goli por gjithashtu dhe te parukieri i tij. "Blick" madje për këtë çështje kontaktoi dhe Federatën Zvicerane të Futbollit, e cila reagoi nëpërmjet zëdhënësit të saj Peter Stadelmann, që sqaroi më konkretisht rregullin për të përditshmen zvicerane duke i bërë asaj me dije se ai vlen vetëm kur lojtarët kanë të veshur fanellën e kombëtares, pasi Federata nuk mund të monitorojë 24 orë në 24 jetën e futbollistëve të saj dhe e rëndësishme për të është se lojtari me këtë gjest nuk fyen aspak Zvicrën.





